Rusia padashje është bërë furnizuesi kryesor i armëve në Ukrainë – Kievi ka arritur të sekuestroj qindra tanke e topa

Rusia padashje është bërë furnizuesi kryesor i armëve në Ukrainë – Kievi ka arritur të sekuestroj qindra tanke e topa

Një hetim i realizuar nga Wall Street Journal (WSJ), ka konstatuar se Rusia padashje është bërë furnizuesja kryesore me armë e Ukrainës, në këtë luftë që prej shtatë muajsh po zhvillohet.

Pavarësisht furnizimit me armë moderne nga vendet perëndimore, Ukraina ka arritur të krijojë rezerva tjera nga sekuestrimi i armëve ruse gjatë betejave të ashpra.

Ato armë që po sekuestrohen nga rusët, forcat ukrainase po i përdorin kundër tyre e aty përfshihen tanket, topat e artileri të kalibrit të ndryshëm.

Në raport gjithashtu thuhet se ky kaos po i ndihmon forcat ukrainase të rikthejnë disa pjesë të rajonit Donetsk në lindje të Ukrainës – përfshirë qytetin Lyman, të cilin e rimorën javën e kaluar, pasi forcat e Kremlinit u tërhoqën nga frika se do të rrethohen në të gjitha anët.

WSJ citon zëvendëskomandantin e një batalioni të ukrainasve, Ruslan Andrikyo, i cili ka thënë se një batalion ka sekuestruar dhjetë tanke moderne ruse T-80 dhe pesë topa 2S5 Giatsing 152-mm, me të hyrë në qytetin në e Izyumit.

“Kemi aq shumë trofe sa që nuk po e dimë se çfarë të bëjmë me to. Kemi filluar si një batalion me mjete të lehta dhe tani jemi bërë një batalion i motorizuar”, shtoi ai.

WSJ pretendon se Ukraina ka sekuestruar 460 tanke ruse, 92 topa, 448 mjete të lehta luftarake, 195 tjera më të rënda dhe 44 sisteme raketore.

Madje është bërë e ditur se numri i armëve të sekuestruara, në fakt është shumë më i lartë sesa ai që deklarohet zyrtarisht.