Scholz: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut t’u bashkohen BE-së, kanë 20 vite që presin

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, para hyrjes në samitin BE-Ballkan perëndimor, dha një deklaratë për media.

Ai tha se këtë mëngjes ka një diskutim shumë të rëndësishëm mes vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

“Diskutim me këto vende të cilat kanë 20 vjet që qytetarët e tyre dhe vetë shtetet po mundohen të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Scholz.

Sipas kancelarit gjerman, ajo që është më e rëndësishmja, duhet dhënë premtim që duhet mbajtur.

“Dhe ndaj kësaj situate Gjermania ndihet e përgjegjshme për të marrë përsipër shqetësimin dhe për të treguar se këto shtete kanë mundësi dhe kanë perspektivë evropiane”, tha kancelari i Gjermanisë.

Ai tha se vendet e Ballkanit perëndimor janë munduar kaq shumë.

“Ato po bëjnë shumë e kemi madje edhe rastin e Maqedonisë së Veriut e cila ka ndryshuare dhe emrin, vetëm që të bëhet pjesë e BE-së. E ky është edhe një shembull i përkushtimit të këtyre vendeve”.

Sipas Scholz, pyetja më e rëndësishme është se duhet punuar së bashku që shtetet e Ballkanit perëndimor të kenë mundësi që vërtetë të bëhen anëtarë të BE-së.

“Ato kanë punuar kaq shumë prandaj është detyra jonë në të ardhmen që ta bëjmë të mundur që kjo të ndodhë”.