Vitia: 17 mijë termine janë caktuar për vaksinim veç sot

Vitia: 17 mijë termine janë caktuar për vaksinim veç sot

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia edhe sot ka kërkuar që sa më shumë të vaksinohen qytetarët e Kosovës, ndonëse sipas tij interesimi për vaksinim anti-COVID është rritur dhe se vetëm sot janë 17 mijë termine për vaksinim.

Ai shprehet se synim i tyre mbetet imunizimi i 60 përqind të popullatës deri në fund të vitit.

“Edhe fushata e vaksinimit po e bënë të vetën sepse vetëm gjatë ditës së sotme kemi 17 mijë termine të caktuara nga qytetarët për vaksinim që është në harmoni të plotë me planin e veprimit për vaksinimin e qytetarëve në masë përkundër sfidave që i kemi interesimi i qytetarëve çdo ditë e më shumë për vaksinim po rritet dhe ne qëndrojmë në objektivin tonë për vaksinim deri në fund të vitit të 60 për qind të popullatës duhet të përfshihet në vaksinim. Varianti Delta është prezent mbi 80 për qind e të infektuarve ditor dhe ky variant me shpërndarjen është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe e vetmja alternativë është vaksinimi”, theksoi Vitia.

Për procesin e vaksinimit, ministri Vitia ka thënë se ka qenë sfidë përgatitja e ekipeve dhe qendrave dhe se jo secila qendër ia ka dalë që të funksionoi në mënyrë të përkryer.

Vitia tha se në disa komuna është dashur që të punohet më shumë që t’u shpjegohet edhe qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit.

“Fillimi i këtij procesi ashtu siç kemi pritur është shoqëruar me vështirësi sepse siç kemi pritur kalimi i një procesi të vaksinimit nga 90 në 290 ekipe të vaksinimit kërkon angazhime shtesë të personelit shëndetësor që jo secila komunë apo qendër e vaksinimit ka pasur në dispozicion prej kohësh prandaj është dashur që ekipet t’i ngrisim duke angazhuar infermierë shtesë dhe specializantë nëpër komuna…Ka qenë sfidë të përgatitet edhe logjistika në aspekte tjera përfshirë këtu edhe fuqizimin e modulit elektronik të vaksinimit kundër COVID-19. Jo secila qendër e vaksinimit ia ka dal që qysh në fillim të kap ritmin e një procesi shumë më internsiv dhe të funksionoj në mënyrë të përkryer aq më tepër kur vaksinimi i shkon kryesisht sipas caktimi i termineve. Derisa komunat e mëdha për nga numri i të vaksinuarve në disa komuna është e vërtetë se është dashur të punohet më shumë edhe me popullatën për të kuptuar rëndësinë dhe nevojat e vaksinimit pas hezitimeve”, tha ai.