znj.Sinani merr pjesë në mbledhjen e Asamblesë së së Përgjithshme të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon

znj.Sinani merr pjesë në mbledhjen e Asamblesë së së Përgjithshme të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon

Fjalimi i kryetarës së komunës së Preshevës në asamblenë e unionit të bashkësive shqiptare: 

Të nderuar pjesëmarrës,

I respektuari nikoqir, z.Erion Veliaj

Kolege dhe kolegë,

E dashur znj.Andriola Kambo,

Zonja dhe Zotërinj.

Është nderë për mua që sot, në cilësinë e kryetares së re të Komunës së Preshevës, marrë pjesë në këtë mbledhje të Asamblesë së së Përgjithshme të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon.

Kjo shoqatë është e një rëndësie të veçantë sidomos për komunën tonë. Dinamizon e zhvillon bashkëpunimin ndërinstitucional midis pushteteve vendore të komunave tona tejkufitare, por edhe përafron e ndërsocializon qytetarët e komunave që i përfaqësojmë sot si të zgjedhur të tyre.

Duke qenë kryetare e posazgjedhur dhe në konsolidim e sipër të qeverisjes sime lokale, e duke qenë për herë të parë e pranishme në këtë forum të respektuar, sigurisht se jam edhe në fazën e njoftimit dhe të akomodimit me punët e deritanishme të shoqatës, e të agjendës së sotme për qëllimet e mëtejme.

Zhvillimi i ekonomisë dhe i turizmit janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për komunat tona, e veçanërisht për komunën e Preshevës, që siç dihet lëngon nga një shkallë e lartë e papunësisë, pazhvillueshmërisë ekonomike dhe pabarazisë sociale. E tërë kjo e rënduar së fundi edhe nga pasojat e pandemisë.

Marrë parasysh pozitën e saj gjeografike, duke qenë në trekëndëshin Serbi-Kosovë-Maqedoni e Veriut dhe duke u shtrirë përgjatë Hekurudhës dhe Korridorit 10 që lidh Stambollin me Vjenën, në pellgun e ndarjes së ujërave që derdhën në Detin e Zi dhe pellgjeve të Egjeut, komuna e Preshevës ka pozitë dhe resurse për zhvillimin e ekonomisë së prodhimit, shkëmbimeve tregtare dhe zhvillimin e turizmit, respektivisht të agroturizmit, të turizmit të gjuetisë dhe të pushimeve aktive.

Mirëpo, ndoshta pikërisht komuna e Preshevës është shembulli më i mirë për të reflektuar edhe midis nesh, që po ndërtojmë një bashkëveprim ndërkomunal dhe ndërkomunitar.

Për çështjen e njohur të marrëdhënies qendër/periferi. E Komuna e Preshevës nuk e ka vetëm veçorinë që nga kjo tavolinë, së bashku me komunën e Bujanocit, jemi ndoshta komuna që diskriminohet më së shumti nga qeveria qendrore dhe autoritetet rajonale shtetërore. Jemi edhe periferi e periferisë. Edhe brenda kufijve, edhe midis nesh këtu.

Pra, diskriminimi nga shteti dhe kjo pozitë e periferisë së periferisë është ndoshta shkaktari kryesor i gjendjes së sotme sociale, ekonomike dhe kulturore të komunës dhe rajonit tonë.

Pra, natyrisht, si në çdo bashkëpunim ndërkomunal, edhe ne jemi bashkë duke qenë të ndryshëm. Jemi në shtete të ndryshme. Me ligje të ndryshme. Me organizim të ndryshëm administrativ. Me resurse dhe potencial të ndryshëm.

Po përtej çështjeve të perimetrave, statuteve dhe ekonomisë përshkallëzuese; bashkëpunimi ndërkomunal dhe rajonal mbetet jetik. Sfidat tona ndërkomunale kërkojnë edhe kapacitete organizative dhe institucionale. Në këtë drejtim, komunat më të vogla e sidomos ato më të shtypura politikisht dhe më të prapambetura ekonomikisht janë edhe më keq. Prandaj, atyre ju duhet më shumë mbështetje në krijimin e kapaciteteve lokale.

Ekonomia dhe Turizmi, të ndara ose të bashkuara, janë pikërisht fushat ku komuna e Preshevës ka nevojë për mbështetje dhe ku mund të mësojë nga komunat tuaja. Solidariteti në ekspertizë dhe shkëmbimi në përvoja nga komunat simotra të pranishme, veçmas të atyre që kanë një zhvillim më të avancuar, mbetet jashtëzakonisht e nevojshme.  

Besoj thellësisht se sot, edhe më shumë, do të ecim në këtë drejtim. Aq më tepër duke e pasur parasysh agjendën e dobishme.

Ju faleminderit