Nehat Hyseni: Arroganca dhe presionet e mëdha nga vasalët e Serbisë ndaj kuadrove shqiptare në Preshevë

Arroganca dhe presionet e mëdha nga vasalët e Serbisë ndaj kuadrove shqiptare në Preshevë

Presionet e mëdha dhe arroganca e shfrenuar ndaj kuadrove shqiptare të institucioneve të ndryshme dhe ndaj kryetarit të Bashkësisë Lokale të fshatit Raincë të komunës së Preshevës, Zotëri Ali Sinanit, realisht duhet të shërbejnë si alarm mobilizues i të gjitha forcave e subjekteve demokratike të kësaj komune dhe në Luginë, kundër vasalëve të SNS-it të Vuçiqit, Presidentit aktual të Serbisë, të cilët synojnë që Shqiptarët e Luginës së Preshevës t’i diskriminojnë dhe detyrojnë të shpërngulen nga këto troje të tyre stërgjyshore, me rëndësi të jashtëzakonëshme gjeostrategjike e gjeopolitike për rajonin e Ballkanit Perëndimor.


Politika antishqiptare e Serbisë, për serbizimin e komunave me shumicë shqiptare në jug të saj, gjatë historisë kishte aplikuar shumë masa diskriminimi e pacifizimi të Shqiptarve, që nga koha e Mbretërisë SKS, që vazhduan edhe në Jugosllavinë e Titos, për realizimin e Elaboratit fashist të Vaso Çubrilloviqit, për shpërnguljen dhe dëbimin e dhunshëm të Shqiptarve.
Këtë detyrë të “shenjtë” antishqiptare, me përkushtim të madh dhe me masa drakonike e zbatoi Aleksandar Rankoviqi në Jugosllavinë e Titos dhe e vazhdoi Sllobodan Millosheviqi pas tij.


Pas rënies së regjimit socialist të Titos dhe Millosheviqit, këtë mision të “shenjtë” antishqiptar, siç duket qartë, po e vazhdon Aleksandri tjetër, Vuçiqi, i ndihmuar nga vasalët e vet besnikë në Luginë, e sidomos në komunën e Preshevës, me APN-në e Shqiprim Arifit, që po konsiderohet si Degë apo filialë e SNS-it në jug të Serbisë, me konsulentët e shumtë serbë nga Surdulica, Vranja e nga Beogradi e komunat e tjera, që kujdesen për zbatimin e “suksesshëm” të politikave antishqiptare të Serbisë, në këtë trevë të banuar me shumicë shqiptare.


Serbia nuk kurseu para dhe mund për këtë qëllim!
Investimet ishin marramendëse të Serbisë për rrënimin e “polikës së vjetër” të PVD-së së Riza Halimit, të cilin dhunshëm e nxorrën nga polikbërja shqiptare, sepse ishte “destruktiv” dhe “jobashkëpunues” me Serbinë dhe së bashku me PDSH-në, më 1 dhe 2 Mars 1992, realizuan Referendumin “për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën”.


Vuçiqi kurrësesi nuk ia fali këtë mëkat partive “të vjetra” të shqiptarve (PVD dhe PDSH) dhe finacoi e investoi para e mund për “Ndryshimin” e kësaj gjendjeje, me APN-në (Aleancën për Ndryshim) të Shqiprim Arifit, i cili gravitonte në qarqe vehabiste në Gjermani, që kishte krijuar një përvojë të gjatë bashkëpunimi me politikën dhe shërbimet e Serbisë atje.
Instalimi i Shqiprim Arifit në skenën e politikbërjes shqiptare në Luginë, nuk ishte punë e vështirë për Serbinë, meqë votuesit shqiptarë ishin të zhgënjyer dhe të dëshpruar me gjendjen e mjerë të shqiptarve në Preshevë.


Prandaj, duke korruptuar votën e shqiptarve me milionat e panumërtë në kubëza betoni, asfalt, etj., dhe me angazhimin edhe të organeve të Serbisë, duke krijuar një mazhorancë të brishtë me serbët lokalë, të cilët në mënyrë të dyshimtë i fituan dy mandate, ata po e qeverisin këtë komunë që nga zgjedhjet e 24 dhjetorit 2017.
Natyrisht se si detyrë mbi të gjitha detyrat, ata kishin ndryshimin e strukturës etnike të komunës së Preshevës me Planin Aksional..., famëkeq.


Por, kjo gjë makabre, edhe përkundrejt kërcnimeve e shantazheve të mëdha, falë mobilizimit të “partive të vjetra” të Shqiptarve, PVD-së dhe PDSH-së, megjithatë u hoq nga agjenda e Kuvendit Komunal.
Arroganca e tërbuar e APN-së dhe Shqiprim Arifit, e ndihmuar edhe nga fraksioni i PDSH-së që mori vetëm tre mandate, si LR PDSH, nuk ka të ndalur në misionin e tyre antishqiptar, duke i degraduar shkollat e kësaj komune, në bashkëpunim të ngushtë me regjimin e Beogradit.
Shkolla Fillore “Ibrahim Kelmendi” është shkolla më e madhe në Luginë të Preshevës dhe njëra ndër shkollat më të suksesshme dhe më me renome në Serbi.


Por, sukseset e kësaj shkolle e kanë penguar Serbinë. Prandaj, Qeveria e Serbisë e detyroi drejtoreshën Besa Sahiti të jep dorëheqje, duke i bërë presion të papërballueshëm për eliminimin e njëmbëdhjetë paraleleve dhe për përjashtimin e reth 15 arsimtarëve shqiptarë nga puna, si “tepricë teknologjike”.
Zonja Sahiti si aktiviste e dalluar dhe shumë e respektuar nga radhët e “partisë së vjetër”, PVD-së së Riza Halimit, ishte pengesë e realizimit të këtyre massive drakonike ndaj nxënësve dhe arsimtarve shqiptarë të kësaj shkolle, që ajo i konsideronte si të dëmshme dhe të papranueshme.


Në vend të zonjës Sahiti, Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë, me dekret ka emëruar drejtoreshë një zonjë shqiptare, nga radhët e APN-së së Shqiprim Arifit, që do t’i realizoj me përpikshmëri të gjitha dekretet e Serbisë dhe detyrat të cilat drejtoresha Sahiti nuk i realizoi.


Natyrisht se po realizohet politika antishqiptare e Serbisë, e cila, siç thoshte i ndjeri Profesor Fehmi Agani, që realisht vlerësohet si “truri” i Lëvizjes kombëtare të Shqiptarve në vitet e nëntëdhjeta dhe të LDK-së, se “Serbia kurrë nuk do të arrij t’i realizoj politikat antishqiptare pa bashkëpunimin servil të Shqiptarve “. Ky mendim profetik i profesor Aganit u dëshmua në Kosovë, për të mirën tonë dhe dështimin e Serbisë atje. Por, mjerisht, po vërtetohet për të keq edhe sot në Preshevë, ku disa shqiptarë, për interesa partiake e personale, edhe sot e kësaj dite po vihen në shërbim të Serbisë dhe kundër interesave kombëtare të Shqiptarve.


Gjatë kohës sa ishte zonja Sahiti drejtoreshë e kësaj shkolle me renome, përkundër sukseseve dhe rezultateve kulminante që arrinin në garat kombëtare shqiptare në Shqipëri e Kosovë, por dhe në garat në Republikën e Serbisë, megjithatë presioni nga organet komunale të udhëhequra nga APN, si dhe nga Qeveria dhe nga gjykatat e Serbisë, ishin të mëdha dhe realisht të papërballueshme!
Presioni i tillë i paskrupullt është duke u ushtruar edhe mbi gjimnazin “Skënderbeu” dhe mbi shumë shkolla e institucione parashkollore, ku janë duke udhëhequr kuadrot shqiptare të “partive të vjetra”, dmth PVD e PDSH-së.
Ky presion i sinkronizuar i APN-së dhe Qeverisë së Serbisë ka përfshirë pamëshirshëm dhe me tërbim çdo pore të jetës institucionale të komunës së Preshevës.


Rasti më i “freskët” i këtyre ditëve i veprimit të tillë të paskrupullt është presioni i paparë dhe shantazhi e kërcnimet personale të Shqiprim Arifit ndaj kryetarit të BL Raincë, Zotëri Ali Sinanit, të cilin ai pretendon që ta detyroj të jep dorëheqje. Sepse, në të kundërtën, Arifi kërcënohet se “nuk do të ket asnjë dinarë investime në Raincë!”


Meqë Zotëri Ali Sinani është një intelektual shumë i respektuar dhe me autoritet të jashtëzakonshëm në këtë fshat, që ka organizuar një mori aktivitetesh dhe aksionesh, që kanë zgjidhur shumë probleme infrastrukturore, në vendosjen e organizuar të mbajtjes së pastërtisë dhe funksionimit shembullor të shërbimeve në BL, që mund të shërbej si model për komunën e Preshevës dhe për Luginën e më gjërë.
Gjithçka e mirë dhe e suksesëshme ndër institucionet e udhëhequra e të mirëmenaxhuara nga kuadrot më të mira të Shqiptarve në komunën e Preshevës, është vënë në shenjestër dhe janë drejtuar “shtizat” kundër tyre, duke u kërcnuar e shantazhuar pamëshirshëm në çdo hap dhe në çdo veprim në përpjekjet e tyre për ndërtimin e mirëqenies dhe në zgjidhjen e halleve të mëdha që e rëndojnë përditshmërinë dhe perspektivën e zymtë të Shqiptarve në Preshevë dhe në Luginë.

Shkruan: Nehat Hyseni