O’Connell: Mungojnë rezultatet për luftimin e korrupsionit

Ambasadori britanik, Ruairí O’Connell ka thënë se Kosova nuk ka sfidë më të madhe se sa luftimi i korrupsionit sidomos atë të profilit të lartë.

Ambasadori britanik, Ruairí O’Connell ka thënë se Kosova nuk ka sfidë më të madhe se sa luftimi i korrupsionit sidomos atë të profilit të lartë.

“Korrupsioni shkatërron shtetin, parandalon zhvillimin ekonomik. Britania ka nevojë për një Kosovë të fortë dhe të zhvilluar. Kosovarët nuk janë më të korruptuar se të tjerët, mbaj mend një ushtar britanik se sa i impresionuar ishte, kur një qytetar ishte afruar t’ia kthejë pesë euro qe i kishin rënë”.

“Korrupsioni nuk mund të shihet si një kulturë e brendshme. Kur krijohet kultura e pandëshkueshmërisë, krijohet problemi”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

O’Connell këto komente i ka bërë në prezantimin e raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi lidhur me monitorimin e rasteve të korrupsionit.

Ambasadori britanik në Kosovë ka thënë poashtu se rezultatet e luftimit të korrupsionit në Kosovë mungojnë.

“Nëse ka raste ku ka gjykime e dënimet janë të buta, kjo tregon se nuk ka vullnet. Me keqardhje më duhet të them se rezultatet mungojnë. Nuk ka asnjë të dënuar të profilit të lartë. Kjo po ndikon në uljen e besimit në organet e drejtësisë. Kjo është sa e dëmshme aq edhe e rrezikshme”.