Koreja e Jugut ofertë të ''çmendur'' për futbollistin e Kukësit. Ja shuma që ofruan për Sindrit Gurin

Kukësi bëhet gati për “goditjen” e madhe në merkato. Pasi shitën Elis Bakaj për shumën e 120 mijë dollarëve...

Kukësi bëhet gati për “goditjen” e madhe në merkato. Pasi shitën Elis Bakaj për shumën e 120 mijë dollarëve, një ofertë shumë herë më “e çmendur” ka ardhur për një tjetër futbollist. Sindrit Guri është emri i radhës, që është vendosur në “shënjestrën” e disa klubeve të huaja. Megjithatë, të parët që kanë depozituar zyrtarisht kërkesë në zyrat e klubit, janë koreanët e Ganguan FC. Sigurisht, që është një emër i padëgjuar, pasi bëhet fjalë për një klub që militon në ligën elitare të Koresë së Jugut.

Gazeta “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se ata janë të gatshëm që të japin 500 mijë euro për shërbimet e sulmuesit. Ganguan është një ekip i ri, që konkurron për titullin në ligën elitare të futbollit të këtij vendi. Kampionati në Kore nuk ka shumë që ka nisur, konkretisht 3 javë, dhe ekipi në fjalë e ka nisur mbarë sezonin duke arkivuar 9 pikë. Drejtuesit koreanë kanë pretendime madhore e për këtë motiv kërkojnë që të përforcojnë ekipin e tyre në ofensivë.

Guri është një futbollist i ri me mjaft cilësi, e ardhmja e të cilit duket e garantuar. Shkodrani ka arritur në kuotën e 11 golave deri në këtë fazë të Kategorisë Superiore, duke qenë kandidat potencial për “Këpucën e Artë”. Nuk duhet harruar se lojtari ka hasur vështirësi në pjesën e parë të sezonit për shkak të pozicionit.

Ish-trajneri Mladen Milinkoviç preferonte që ta vendoste shpesh si mesfushor të djathtë dhe jo në rolin e tij natyral, si qendërsulmues. Oferta akoma nuk i është prezantuar me detaje presidentit Safet Gjici, pasi është fare e freskët. Mbetet për t’u parë sesi do të procedohet për sulmuesin, pasi oferta është realisht e parezistueshme, edhe pse Kukësi i ka vënë klauzolë 1 milion euro 24-vjeçarit. Nëse shtatlarti do të shitet për këtë shumë rekord, ai do të përfundojë kampionatin me Kukësin dhe më pas do transferohet në Kore. Megjithatë, për llogari të shkodranit janë rritur ndjeshëm interesimet edhe nga klube në Belgjikë dhe Itali.

Kukësi hasi vështirësi dy fazat e para, ku ekipi me në krye trajnerin Mladen Milinkoviç dështuan në garën për titull. Nën drejtimin e serbit, morën vetëm 25 pikë në 16 javë, duke iu larguar me 12 pikë Skënderbeut. Presidenti Gjici, i gjendur përpara një dileme të madhe, largoi Milinkoviçin dhe i besoi ekipin Pakultit.

Me austriakun, skuadra ndryshoi “fytyrë”, duke arritur në vendin e dytë nga i katërti që ishte, por duke ndryshuar krejtësisht mënyrën e të luajturit. Me ardhjen e tij, po shkëlqejnë edhe futbollistët. Dhe sigurisht që kjo formë e mirë me fanellën e verilindorëve nuk ka mbetur pa u vënë re nga menaxherë e skautë të klubeve të huaja. Shembulli konkret mban emrin e Elis Bakajt, i cili u shit pa u mbyllur kampionati. Dhe nëse e njëjta gjë ndodh edhe me Sindrit Gurin, atëherë për Kukësin ky vit do të jetë histori suksesi.