Trumpi konsideron emërimin e Grenellit si të dërguar për Iranin

Trumpi konsideron emërimin e Grenellit si të dërguar për Iranin

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po konsideron emërimin e Richard Grenell, ish-shefit të tij të inteligjencës, si të dërguar special për Iranin.

“Grenell është padyshim në garë,” tha një burim për Reuters i i cili kërkoi të mbetet anonim.

Deri më tani, nuk janë marrë vendime përfundimtare nga Trumpi për personelin apo strategjinë që do të ndiqet ndaj Iranit.

Kjo përfshin opsione të tilla si vendosja e sanksioneve të reja, ndjekja e diplomacisë apo një kombinim i të dyjave për të ndaluar programin bërthamor të Iranit.

As skuadra e Trumpit dhe as vetë Grenelli nuk i janë përgjigjur kërkesave për koment.

Planet për këtë rol nuk janë raportuar më parë, por shqyrtimi i një aleati kryesor si Grenell për një detyrë të tillë dërgon një sinjal të fortë në rajon.

Ai sugjeron që presidenti i ri mund të jetë i hapur për dialog me një vend që më parë e ka kërcënuar dhe që, sipas qeverisë amerikane, ka tentuar ta eliminojë atë.

Irani i ka mohuar këto pretendime.

Nëse emërohet, Grenell pritet të angazhohet me vendet e rajonit dhe përtej tij lidhur me çështjen e Iranit, si dhe të vlerësojë gatishmërinë e Teheranit për negociata.

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i njohur si një figurë relativisht e moderuar, tha pas zgjedhjes së Trumpit se Teherani duhet të “menaxhojë” marrëdhëniet me SHBA-në dhe të përballet me këtë rival historik.

Grenell nuk është i panjohur për administratën Trump.

Gjatë mandatit të parë të Trumpit, ai shërbeu si ambasador në Gjermani, i dërguar special për negociatat e paqes midis Serbisë dhe Kosovës, dhe si drejtor i përkohshëm i inteligjencës kombëtare.

Pas mbështetjes së fuqishme që i dha Trumpit në fushatën zgjedhore, Grenell ishte gjithashtu kandidat për sekretar shteti dhe i dërguar special për luftën në Ukrainë, por këto role iu dhanë senatorit Marco Rubio dhe gjeneralit Keith Kellogg, përkatësisht.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trumpi mori masa të ashpra kundër Iranit, përfshirë urdhërimin e një sulmi ajror në vitin 2020 që vrau komandantin e lartë iranian Qassem Soleimani.

Në vitin 2018, ai gjithashtu hoqi dorë nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 e nënshkruar nga paraardhësi i tij, Barack Obama, dhe rivendosi sanksione ekonomike ndaj Iranit.