Një vizitë në Rusi nga presidenti iranian Masoud Pezeshkian është duke u përgatitur, por ende nuk është e qartë se kur do të zhvillohet, tha të martën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Peskov tha se ishte e paqartë nëse vizita do të ndodhte këtë vit, por se një datë për udhëtimin mund të dakordohej shumë shpejt nëse është e nevojshme.
“Një vizitë e tillë është duke u përgatitur, përgatitjet janë duke u zhvilluar”, u tha Peskov gazetarëve në një konferencë ditore kur u pyet për këtë çështje.
Moska po përgatitet të nënshkruajë një traktat të ri dypalësh me Teheranin, i cili do të përfshijë bashkëpunim më të ngushtë të mbrojtjes, lloj traktati që presidenti rus Vladimir Putin shpesh nënshkruan personalisht me homologët e tij të huaj.
Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov i tha televizionit shtetëror në fund të tetorit se traktati do të nënshkruhet “në të ardhmen e afërt”.
Moska nënshkroi një traktat të ngjashëm “gjithëpërfshirës” me Korenë e Veriut, i cili përfshin një klauzolë të mbrojtjes reciproke, në qershor, shkruan Reuters.