Kurti: Qëllimi është ta bëjmë Kosovën një vend ku bizneset lulëzojnë dhe qytetarët jetojnë mirë e më mirë

Kurti: Qëllimi është ta bëjmë Kosovën një vend ku bizneset lulëzojnë dhe qytetarët jetojnë mirë e më mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

Ai përmes fjalës së tij ka paraqitur kërkesat për bashkëpunimin mes institucioneve shtetërore të Kosovës dhe bizneseve vendore me qëllim rritjen e eksportit dhe funksionimit sa më të mirë të bizneseve.

Kurti ka ndarë disa çështje që sipas tij janë kyçe dhe lidhen me prioritetet ekonomike dhe reformat që Qeveria e Kosovës i ka ndërmarr për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur investimet e huaja si dhe zhvillimin e brendshëm.

“Kosova është një destinacion tërheqës dhe i favorshëm për investime, me një popullsi të re dhe dinamike vendi jonë ka potencial të madh për tu shndërruar në një qendër rajonale për investime dhe transfer të proceseve të biznesit. Disa nga faktorët që e mbështesin këtë potencial përfshinë stabilitetin institucional të vendit tonë që është i shoqëruar me fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit. Pastaj afërsia me tregjet e Evropës Perëndimore, rritja ekonomike mesatare prej 6.2% gjatë këtyre dy viteve të fundit e cila tregon një trend pozitiv në zhvillimin ekonomik, pastaj zhvillimi i projekteve infrastrukturore në sektor të transportit, mjedisit dhe energjisë që janë thelbësore për një ekonomi të qëndrueshme”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmendur edhe rininë e Kosovës si një gjë pozitive për investitorët e huaj në Kosovë derisa ka treguar se investitorët kërkojnë parashikueshmëri,  konsistencë dhe shpejtësi në shërbime me sa më pak burokraci që të jetë e mundur.

“Për fat të mirë si ekzekutiv jemi Qeveria e parë që do të përfundoj një mandat të plotë një tregues i qartë i stabilitetit institucional dhe politik por edhe i besimit që kemi ndërtuar në proceset tona politike dhe demokratike. Një aspekt tjetër që dua të theksoj është politika e “Friendly-shoring” që po konsiderohet gjithnjë e më shumë nga prodhues të ndryshëm për tu rialokuar në rajonin tonë sa më larg nga zonat e ndryshme të konflikteve apo të tensioneve e pa dyshim kjo ofron një mundësi të shkëlqyer për Kosovën për të përfituar nga tendencat globale të zhvillimit ku për herë e më shumë interesat ndahen nga vlerat dhe kemi planifikime më afatgjata”, ka thënë Kurti.

Kurti ndër të tjera ka thënë se qëllimi është ta bëjmë Kosovën një vend ku bizneset lulëzojnë dhe qytetarët jetojnë mirë e më mirë.