Begaj: Kurrë nuk do të pajtohemi me veprime që bien ndesh me Kosovën, duhet të jemi bashkë pavarësisht ideologjive

Begaj: Kurrë nuk do të pajtohemi me veprime që bien ndesh me Kosovën, duhet të jemi bashkë pavarësisht ideologjive

President i Shqipërisë, Bajram Begaj, në takimin e përbashkët me shqiptarët e Malit të Zi, theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjes mes shqiptarëve në të gjitha trevat, duke shtuar se duhet të jemi bashkë në çështjet që kanë të bëjnë më orientimin Euroatlantik të shqiptarëve.

“Për çështje madhore kombëtare, – theksoi Presidenti Begaj, – ne si shqiptarë duhet të jemi bashkë pavarësisht ideologjive politike e partiake që na bëjnë të konkurrojmë me njëri -tjetrin, konkurrencë e cila është mirë të jetë e shëndetshme. Ne duhet të jemi bashkë për çështjet që kanë të bëjnë më orientimin Euroatlantik të shqiptarëve. Kjo është një ëndërr dhe aspiratë e shqiptarëve, për të cilën nuk negociohet”, – theksoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

“Ne ndër vedi nuk mund të vendosim gardhe”, – u shpreh Kreu i Shtetit, i cili mbështeti nismat e ndërmarra për heqjen e barrierave në kufijtë e rajonit.

Kreu i Shtetit përgëzoi përfaqësuesit e shqiptarëve të Malit të Zi për atë që kanë bërë dhe bëjnë në interes të shqiptarëve dhe i këshilloi se është e rëndësishme të mos tolerojnë veprimet antishqiptare: “Nëse ne shohim një qëndrim që bie ndesh me interesat e shqiptarëve, që bie ndesh me ëndrrat e shqiptarëve,me rrugëtimin tonë evropian, me qenien tonë në NATO, patjetër që këto gjëra nuk tolerohen, janë vijë e kuqe ndarëse. Mendimet individuale ne nuk i kundërshtojmë dot. Ne kundërshtojmë veprimet. Ne kurrë nuk do të pajtohemi me veprime që bien ndesh me Kosovën, bien ndesh me njohjen e saj, bien ndesh me votimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë u shpreh se duhet bërë më shumë në rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në administratë dhe jo vetëm.

Gjithashtu, ai u shpreh se asimilimi i shqiptarëve është një fenomen mjaft shqetësues, për parandalimin e të cilit është i nevojshëm hartimi i një strategjie afatgjatë, e cila do të duhet të ketë në fokus ruajtjen e identitetit kombëtar përmes arsimit, gjuhës dhe kulturës shqipe.

Presidenti i Republikës përgëzoi miratimin e tekstit të abetares së përbashkët në shkollat e Malit të Zi, ku mësimi bëhet ne gjuhën shqipe. Nga sot e tutje, në shkollat shqipe, nxënësit do të mësojnë gjuhën shqipe me të njëjtin libër si moshatarët e tyre në Kosovë dhe Shqipëri.

Duke e theksuar rëndësinë e kësaj arritjeje, Kreu i Shtetit u shpreh: “Abetarja është ajo që na mëson gjuhën dhe gjuha është rrënja e kombit. Pa gjuhë, nuk ka komb”.

Gjatë bisedës me Presidentin, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Malin e Zi evidentuan kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik, kulturor e politik të vendit dhe u shprehën shpresëplotë për pritshmëritë në forcimin e pozitës së tyre në të ardhmen. Ata, gjithashtu, siguruan se, me kontributin e tyre në jetën politike dhe ekonomike në Malin e Zi, do të vazhdojnë të jenë faktor të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Presidenti Begaj i siguroi ata se ai personalisht do të mbështesë çdo inciativë që i shërben forcimit të faktorit shqiptar në rajon e më gjerë.