Ministria e Mbrojtjes është deklaruar në lidhje me situatën e krijuar si shkak i përfundimit të kontratës së furnizuesit me ushqim për ushtarët e Kosovës në kuadër të FSK-së.
Nga ministria e Mbrojtjes kanë deklaruar se të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër.
Por në reagimin e ministrisë thuhet se atyre po ju shërbehen shujtat ditore të zakonshme, por nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
E në disa fotografi të bëra publike deri më tani nga ushqimi i drekës është vërejtur se ushtarëve nuk iu janë shërbyer as supa, as sallata, as frutat e as pijet që i shërbeheshin zakonisht.
Reagimi i plotë i ministrisë:
Të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër.
Pjesëtarëve të FSK-së janë duke ju shërbyer shujtat ditore të zakonshme, i vetmi dallim është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional.
Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinerëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kahmotshëm.