Stoltenberg: Ukraina së shpejti mund të presë një dërgesë më të madhe të armëve të rënda

Stoltenberg: Ukraina së shpejti mund të presë një dërgesë më të madhe të armëve të rënda

Ukraina së shpejti mund të presë një dërgesë më të madhe të armëve të rënda nga vendet perëndimore, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për gazetën gjermane Handelsblatt.

“Premtimet e fundit për pajisjet e rënda të luftës janë të rëndësishme – dhe unë pres më shumë në të ardhmen e afërt. Jemi në një fazë vendimtare të luftës. Prandaj është e rëndësishme që t’i ofrojmë Ukrainës armët që i duhen për të fituar”, citohet të ketë thënë ai.

Këtë javë, një takim i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, i cili koordinon dërgesat e armëve në Kiev, do të mbahet në bazën ajrore Ramstein në Gjermani.

Në fillim të këtij muaji, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara premtuan tanke të lehta franceze AMX-10 RC, 40 automjete luftarake të këmbësorisë gjermane Marder dhe 50 automjete luftarake Bradley.

Ndryshe, të shtunën, presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky bëri thirrje për më shumë armë të rënda perëndimore, duke thënë se “terrori” rus mund të ndalet vetëm në fushën e betejës.

“Çfarë nevojitet për këtë? Ato armë që janë në magazinat e partnerëve tanë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës, përcjell Telegrafi.

Ai foli menjëherë pasi kryeministri britanik Rishi Sunak u zotua të sigurojë tanke Challenger 2 në Ukrainë, duke e bërë atë vendin e parë perëndimor që furnizon Kievin me tanke të rënda.

Polonia dhe Finlanda kanë sinjalizuar gjithashtu gatishmërinë e tyre për t’i siguruar Ukrainës tanket Leopard 2 të prodhimit gjerman, duke rritur presionin ndaj kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe qeverisë së tij të koalicionit.

Trendi përfaqëson një ndryshim të mundshëm më të gjerë për aleatët evropianë, të cilët i kanë rezistuar furnizimit të drejtpërdrejtë të Ukrainës me armë të rënda që nga fillimi i agresionit të Rusisë më 24 shkurt 2022.

Dhe kjo vjen mes pretendimeve ruse për suksesin e saj të parë të madh në fushën e betejës pas muajsh humbjesh dhe stagnimi, me ministrinë ruse të mbrojtjes që njoftoi javën e kaluar se “përfundoi çlirimin” e Soledar, një qytet afër udhëkryqit të transportit të Bakhmut në rajonin lindor të Donetskut.