LPD shënon 20 vjetorin e themelimit dhe veprimtarisë politike

LPD shënon 20 vjetorin e themelimit dhe veprimtarisë politike

Lëvizja e Progresit Demokratik më 15 qershor shënon 20 vjetorin e themelimit dhe veprimtarisë politike, si subjekt me ndikim të rëndësishëm politik në Luginë të Preshevës.
LPD-ja erdhi si frymë politike pas betejave të njëpasnjëshme duke patur për objektiv themelor kauzën kombëtare për liri e të drejta.
Gjeneza e LPD-së i kalon edhe dy dekadat e veprimtarisë politike. Ideologu dhe lideri historik z.Jonuz Musliu ishte ai i cili filloi celulat e para me bashkëveprimtarët e tij duke organizuar demostratat e `81-shës, duke organizuar bashkëthemelimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK-së), më pastaj si i burgosur politik në vitet e `80-ta, e për të vazhduar me bashkëveprimtarët formimin dhe organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në fillim të viteve `90-ta deri në çlirimin e Kosovës.
Pas krijimit të realiteteve të reja në Kosovë, dhe me transformimin e UÇK-së në TMK, Jonuz Musliu angazhohet si oficer i saj. Por duke parë rrethanat në të cilat po kalonte Kosova Lindore pas vitit 1999, duke mbetur nën administrimin serb, e duke vazhduar avazi i vjetër me maltretime, keqtrajtime e me vrasje të civilëve shqiptarë, Jonuz Musliu me bashkëveprimtarët organizohen forcat e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc (UÇPMB) për t`i thënë ndal terrorit të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve të kësaj treve.
Përgjatë dy viteve nën amblemën e UÇPMB-së, e duke rezistuar me të gjitha forcat që posedonin, si dhe duke sakrifikuar edhe jetën që dhanë 28 dëshmorët e kësaj ambleme, Lugina e Preshevës që do të mbetej sinonim i Kosovës Lindore, i dha fund betejës ushtarake me Marrëveshjen e Konçulit, kumbar i së cilës ishin përfaqësuesit zyrtarë të NATO-s.
Marrëveshja nuk ishte idealja, por ishin disa të drejta të cilat do të ndryshonin jetën politike, sociale dhe ekonomike në këto treva. Me këtë marrëveshje synohej që shqiptarët të fitonin të drejtat e tyre politike e kombëtare, duke zhvilluar jetën e tyre në të gjitha segmentet e jetës për një mirëqenie më të mirë.
Dhe përtej kësaj, LPD-ja u lind si forcë politike me program qytetar e kombëtar, për të qenë garancë e kësaj marrëveshje, si dhe për të shtyrë proceset përpara. Dhe LPD-ja u projektua nën moton se “e vetmja rrugë e nderit, është rruga e qëndresës dhe organizimit”.
LPD-ja erdhi si forcë politike për të luftuar me mjete demokratike e paqësore për të fituar të drejtat tona në polici, shëndetësi, ekonomi, arsim, kulturë e politikë, si dhe për të transformuar gjendjen e komunova shqipfolëse në Luginë në aspektin e infrastrukturës rrugore e urbanistike.
Përgjatë këtyre dy dekadave, betejat politike të LPD-së u bënë bazë e veprimit politik përgjatë gjithë procesit politik në të cilin po kalonin shqiptarët. Zëri i LPD-së me liderin e saj Jonuz Musliun, ishin në çdo vend e në çdo situatë në të cilin po kalonin shqiptarët.
LPD-ja i dha prioritet mbi prioritetet familjeve të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të luftës, duke u bërë mburojë për çdo problematikë me të cilën atakoheshin.
LPD-ja ishte forca që i dha mbështetje të pakursyer ndryshimeve politike që ndodhën që nga korriku i 2002-ës.
LPD-ja ishte forca politike që i bashkoi të gjitha forcat tjera politike për të formuar deklarata të përbashkëta, kuvende të përbashkëta, e marrëveshje të përbashkëta që kishin si target të mirën e përgjithshme të shqiptarëve.
LPD-ja ishte forca politike që i dha mbështetje dhe frymë protestave që organizoheshin gjatë burgosjeve, keqtrajtimeve e problemeve që ndodhnin gjatë viteve me librat, flamurin e përdorimin e gjuhës shqipe në rrugë institucionale.
LPD-ja ishte forca politike që inicoi themelimin e asociacionit e marrëveshjeve të rëndësishme politike gjatë gjithë këtyre viteve.
Dhe sot kur LPD-ja po shënon 20 vjetorin e themelimit, nuk e ka fizikisht ideologun e saj Jonuz Musliun. Por filozofia politike e veprimtarisë së tij do të jetë shkolla politike që do ta ndjekin e do të trashëgohet brez pas brezi.
LPD-ja do të jetë në rrugën e saj, me politikat e saj e me strategjinë e saj përjetësishtë në këtë trevë e në këtë tokë.
Amaneti i dëshmorëve, ideali dhe sakrifica e ushtarëve, veprimtaria e gjithë këtyre dy dekadave do të jenë busulla e orientimit dhe veprimit tonë politik.
Dhe në këtë përvjetor jubile, i shprehi mirënjohje përjetë familjeve të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës, veprimtarëve të çështjes kombëtare si dhe themeluesve, veprimtarëve e aktivistëve të LPD-së që në një formë apo në një tjetër, çuan projektin e LPD-së përpara.

Me respekt,
Shqiprim J.Musliu
Kryetar i LPD-së.