Të paktën pesë nga ndihmësit e tij janë pozitivë me coronavirus, nënpresidenti Pence nuk futet në karantinë

Të paktën pesë nga ndihmësit e tij janë pozitivë me coronavirus, nënpresidenti Pence nuk futet në karantinë

Të paktën pesë persona nga zyra e nënpresidentit amerikan Mike Pence kanë rezultuar pozitivë për coronavirus ditët e fundit, duke përfshirë shefin e stafit Marc Short, ndihmësin e ngushtë Zach Bauer dhe këshilltarin e jashtëm Marty Obst, kanë thënë burime për CNN, përcjell Telegrafi.

Madje, sipas një burimi, ka shqetësime se më shumë njerëz brenda rrethit të ngushtë të Pence do të mund të dalin pozitivë në ditët në vijim.

“Ata janë të frikësuar”, tha burimi për personelin në zyrën e nënkryetarit.

Ndërkohë bëhet e ditur se nënpresidenti Mike Pence dhe zonja e dytë Karen Pence dolën negativë për coronavirus të dielën, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Pavarësisht nga kontakti me njerëz të shumtë të cilët kohët e fundit ishin pozitivë, Mike Pence po refuzon të futet në karantinë, gjë që sipas CNN është në kundërshtim me udhëzimet e autoriteteve shëndetësore në SHBA.

Kështu, Pence – i cili është kreu i task-forcës për coronavirus të Shtëpisë së Bardhë – planifikon të vazhdojë udhëtimet dhe fushatat çdo ditë në pjesën e fundit deri në Ditën e Zgjedhjeve, tha një zyrtar për CNN.