Asociacioni bëhet “mollë sherri” në dialog, BE dhe qeveria s’tregojnë nëse për të do flitet më 28 shtator

Asociacioni bëhet “mollë sherri” në dialog, BE dhe qeveria s’tregojnë nëse për të do flitet më 28 shtator

Asnjë detaj lidhur me zbatimin dhe diskutimet rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk kanë dhënë Qeveria e Kosovës e as Bashkimi Evropian. Derisa pala serbe po thotë se do ta kushtëzojë përparimin në dialog me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin.

Asociacioni ka qenë njëra nga temat që është diskutuar në takimin e 7 shtatorit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, nuk dihet nëse në takimin e radhës, i cili pritet të mbahet në nivel liderësh me 28 shtator, që është paralajmëruar nga Miroslav Lajcak, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit.

Përkundër interesimit të lajmi.net nëse kjo temë do të rihapet në takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksander Vuciq, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano nuk ka dhënë asnjë detaj për këtë temë.

Derisa BE-ja e vlerëson të domosdoshme adresimin e çështjeve që lidhen me komunitetet jo-shumicë.

Ai ka thënë se një takim tjetër në lidhje me aranzhimet për komunitetin joshumicë do të ndodhë në ditët në vijim.

“Në takimin e tyre më 7 shtator, presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës u pajtuan që t’i vazhdojnë bisedimet e tyre për pretendimet e përbashkëta financiare për komunitetin joshumicë në nivel ekspertësh dhe të shefave negociues. Bisedimet e javës së kaluar në nivel ekspertësh u përqendruan në zgjidhjen e pretendimeve të përbashkëta financiare. Një takim tjetër për këtë në lidhje me aranzhimet për komunitetin joshumicë do të ndodhë në ditët në vijim”, ka thënë Stano për lajmi.net.

Edhe në Qeverinë e Kosovës kanë heshtur lidhur me këtë temë. Ata nuk kanë dhënë përgjigje për lajmi.net nëse tema e Asociacionit do të diskutohet në takimin e radhës mes liderësh.

Megjithatë nuk dihet saktë nëse ky takim do të mbahet me 28 shtator,  teksa në media është raportuar se palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Kujtojmë se në takimin e 17 shtatorit, delegacioni i Serbisë, kishte insistuar që të diskutohej për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por pala kosovare kishte refuzuar një gjë të tillë.

Pas atij takimi, shefi i delegacionit të Serbisë në dialog, në kuadër të nivelit të ekspertëve, Marko Gjuriq kishte thënë se Serbia do të shqyrtojë pjesëmarrjen në takimet e radhës dhe do ta kushtëzojë atë me gatishmërinë e Prishtinës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicës serbe.

Ndërsa, javën e kaluar në kuvend ku po diskutohej edhe për marrëveshja për  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, kryeministri Hoti ka siguruar se nuk do rihapet dhe se zbatimi i saj do të bëhet vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe vetëm në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Por, deri më tash kjo nuk ka ndodhur për shkak se në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që principet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën, por që ato mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës, gjë që pala serbe ka refuzuar.