Kryesia e PVD-së ka miratuar marrëveshjen teknike për listën Parlamentare

Kryesia e PVD-së ka miratuar marrëveshjen teknike për listën Parlamentare

Kryesia e Partisë për Veprim Demokratik, në mbledhjen e mbajtur sot në selinë qendore në Preshevë, ka shqyrtuar Marrëveshjen teknike të arritur më 18.05, në mes të pesë subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, bëhet e ditur përmes një komunikate të publikuar nga PVD në faqen e saj në facebook.

Në komunikatë thuhet se “Kryesia e PVD-së, pas vlerësimit të mbarë procesit, i ka dhënë përkrahjen e plotë kësaj Marrëveshje, edhe pse ajo është produkt i kompromiseve të shumta, të cilat PVD është dashur t’i bëjë në dëm të vetvetës.”

Partia për Veprim Demokratik përmes komunikatës së lëshuar pas mbledhjes së Kryesisë, ka mirëpritur “insistimin dhe angazhimin e Prishtinës zyrtare e në veçanti Ministrit të Punëve të jashtme dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për kontributin në krijimin e një liste të përbashkët” siç thuhet në këtë komunikim publik.

Marrëveshja teknike e nënshkruar mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare në prezencë të Ambasadorit Shqiptar në Beograd, Ilir Boçka,  rregullon shpërndarjen e mjeteve financiare para dhe pas zgjedhjeve si dhe përcaktimin e kandidateve të gjinisë femrore në kuadër të listës për plotësimin e parakushtit të kuotës së përcaktuar me ligj.

Në vazhdim po ju sjellim komunikatën e plotë të PVD-së:

KUMTESË NGA MBLEDHJA E KRYESISË SË PARTISË PËR VEPRIM DEMOKRATIK

Kryesia e Partisë për Veprim Demokratik, në mbledhjen e mbajtur sot në Preshevë, shqyrtoi Marrëveshjen teknike të arritur në mes të pesë subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kryesia e PVD-së, pas vlerësimit të mbarë procesit, i ka dhënë përkrahjen e plotë kësaj Marrëveshje, edhe pse ajo është produkt i kompromiseve të shumta, të cilat PVD është dashur t’i bëjë në dëm të vetvetës.

Megjithatë, Kryesia vlerëson se satisfaksioni kryesorë politik për PVD-në është përqafimi i filozofisë politike të participimit në zgjedhjet parlamentare, të cilën PVD e ka trasuar për 30 vite me radhë. Përqafimi i kësaj filozofie politike edhe nga katër subjektet e tjera është i mirëseardhur.

Edhe më i mirëseardhur insistimi dhe angazhimi i Prishtinës zyrtare e në veçanti Ministrit të Punëve të jashtme dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për kontributin në krijimin e një liste të përbashkët. Kjo është dëshmia dhe argumenti më i madh se qëndrimi i Partisë për Veprim Demokratik për sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje parlamentare nga të gjitha subjektet politike shqiptare në Luginë, ka qenë qëndrim i drejtë.

Na pret angazhim për grumbullimin e nënshkrimeve përkrahëse dhe kryerjes së procedurave të nevojshme për dorëzimin me sukses të listës së përbashkët në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 21 qershor të këtij viti.

PVD pret angazhim të sinqert nga të gjithë subjektet nënshkruese të Marrëveshjes, si në grumbullimin e nënshkrimeve të nevojshme përkrahëse për dorëzimin e listës, ashtu edhe në përgaditjet tjera procedurale për dorëzimin e listës.

PVD pret dhe inkurajon të gjitha subjektet nënshkruese të Marrëveshjes në arritjen e numrit sa më të madh të votave për zgjedhjet parlamentare.

Shërbimi për informim i Partisë për Veprim Demokratik