Mediat e huaja: Koronavirusi rrëzoi qeverinë e parë europiane me një shtytje të lehtë nga Amerika

Mediat e huaja: Koronavirusi rrëzoi qeverinë e parë europiane me një shtytje të lehtë nga Amerika

Qeveria e re e Kosovës ra pas 50 ditësh – në mes të luftës pandemike.

Derisa kjo qeveri ballkanike ra në kohën e krizës, një tjetër europiane ishte ngritur, pikërisht për hir të krizës.

Belgjika në mesin e mospajtimeve politike krijoi një qeveri të re me një detyrë specifike, një dhe unike: të merret me koronavirusin, njofton Klan Kosova.

Ngjarja e pazakontë që ndodhi në Kosovë u mbulua edhe nga mediat e huaja duke ia vënë theksin te e pazakonta.

Japan Times shkroi se pandemia e koronavirusit rrëzoi qeverinë e parë europiane.

“Qeveria u rrëzua vonë të mërkurën, vetëm disa muaj pasi mori detyrën. Votimi u thirr nga partner i ri i koalicionit i cili kritikoi hapat e ndërmarrë të qeverisë për të frenuar sëmundjen. Kurti urdhëroi një orë policore dhe ndaloi tubimet publike të hënën për të ndaluar përhapjen, duke kundërshtuar Presidentin Hashim Thaçi, i cili dëshironte të shpallte emergjencën kombëtare. Të dy zyrtarët kanë qenë në mosmarrëveshje gjithë kohës, kryesisht për mënyrën sesi Kosova duhet të përmirësojë lidhjet me Serbinë dhe cili prej tyre duhet t’i udhëheqë ato bisedime”, shkruan mediumi japonez.

Ndryshe nga ky medium, prestigjiozja New York Times, përveç koronavirusit tha se rrëzimi i Qeverisë Kurti erdhi edhe nga një shtytje e lehtë e SHBA-së.

“Kriza e koronavirusit kontribuoi për herë të parë në rrëzimin e një qeverie kombëtare të mërkurën pasi një shumicë e ligjvënësve në Kosovë votuan për të rrëzuar koalicionin qeverisës të vendit, pas një mosmarrëveshje politike që lidhej pjesërisht me pandeminë”.

“Votimi u mirëprit paraprakisht nga Shtetet e Bashkuara, diplomatët e të cilëve e kanë vendosur z. Kurti nën presion të madh që kur qeveria e tij ishte betuar në muajin e kaluar për shkak të kundërshtimit të tij për aspektet e një marrëveshje paqeje amerikane në rajon”.

“Për të treguar përçmimin e tyre për përleshjet politike, kosovarët iu ranë tenxhereve dhe tiganëve nga dritaret e tyrem ditëve të fundit. Më shumë se 10,000 veta nënshkruan gjithashtu një peticion ku dënonin iniciatorët e votës së mosbesimit për një “mungesë të përgjegjësisë për interesin publik dhe mirëqenien qytetare”.

Për tregti territoresh që Kurti e përmendi shumë dje në Kuvend, e për të cilën tha se kurrë nuk do të bëhet pjesë, shkroi edhe The Guardian.

“Kurti akuzoi partnerin e tij të koalicionit për bashkimin e forcave me presidentin Hashim Thaçi, të cilin ai e konsideron si “motorin e prapaskenës” në një përpjekje të fshehtë për të rregulluar një tregti territori me Serbinë. Politikanët e famshëm të dy vendeve kanë thënë që Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçic, kanë diskutuar për një shkëmbim tokash”.

Ndërsa, Reuters derisa shkroi për ngjarjen tha se ende është e paqartë se si do të funksionojë qeveria, pasi zgjedhjet nuk mund të mbahen në kohën kur koronavirusi po përhapet.

Edhe BBC që në titull tha se koronavirusi ndihmoi në kolapsin e qeverisë kosovare, në sfond për lexuesit vendosi një video të kolapsit të dhimbshëm të 1999-ës.