• E mërkurë / Sep-23 21:18
  • Kontakt

Skandaloze:Gjobitet mësuesi i vitit

Skandaloze:Gjobitet mësuesi i vitit

Xh. Bajrami, mësues i lëndës Edukata fizike dhe shëndetësore në Sh.F. “Dituria” në Corroticë në mbledhjen e Këshillit të arsimtarëve, në fund të vitit shkollor 2018/2019 shpallet mësuesi i vitit me motivacionin se gjatë këtij viti shkollor ishte mësuesi që tregoi përkushtimin dhe zellin më të madh për të arritur rezultate në punën edukativo arsimore me nxënësit.

Por, për çudi ai në vend se të faleminderohet ose të shpërblehet me ndonjë gradë pedagogjike, ai gjobitet me pretekstin se ka munguar një ditë nga puna.  Sipas informacione të cilat i kemi marrë nga z. Xh. Bajrami, ai kishte kërkuar leje për këtë nga drejtori, të cilën i njëjti e kishte aprovuar bile për këtë kishte siguruar edhe zëvendësimin.

Duhej ta zëvendësonte arsimtari  i Gjuhës frënge T. Bajrami (djali i drejtorit), por drejtori në fjalë nuk e përfilli dhe e gjobiti duke i hequr një mëditje nga paga. Ky vendim i drejtorit jo vetëm që është tendencioz, sipas mendimit të z. Xh. Bajrami, por është edhe jo ligjor, sepse është marrë dhe ekzekutuar pa kurrfarë vendimi paraprak siç e parasheh Ligji bazë i arsimit dhe edukimit, Rregullorja e punës dhe përgjegjësisë materiale dhe kontrata kolektive.

Dhe për të qenë absurdi më i madh i këtij veprimi dhe për ta arsyetuar të njëjtin, drejtori në mënyrë retroaktive ka lëshuar vendimet për ndalesa, pasi të dënuarit i kanë paraqitur ankesat e tyre Këshillit të shkollës. Ndalesat janë të muajit janar, kurse vendimet janë lëshuar sot më 26.02.2020. pasi të dëmtuarit kanë parashtruar ankesat e tyre Këshillit të shkollës.

Vlen të theksohet se ars. Xh. Bajrami për punën e tij të zellshme dhe me plot përkushtim, dhe për atë se ishte shpallur “Mësuesi i vitit” nga Këshilli i arsimtarëve u emërua si ndihmës drejtor nga ana e Ushtruesit të detyrës së drejtorit(edhe ky në mesin e të dënuarve bashkë me dy mësimdhënës të tjerë), të cilën detyrë e kreu deri më 29 nëntor të vitit 2019, kur edhe u shkarkua nga ana e drejtorit të tanishëm. 

Drejtori këtë veprim e bëri menjëherë pas riemërimit të tij nga ana e Ministrit të arsimit të Republikës së Serbisë në shenjë hakmarrjeje – thekson ars. Xh. Bajrami.  Ky veprim nuk do shumë koment, sepse duket qartë se drejtori i kësaj shkolle bën veprime tendencioze, hakmarrëse dhe krejtësisht politike, me qëllim për t`i dëmtuar në aspektin material dhe për t`i “disiplinuar” të gjithë ata që nuk janë në anën e tij.