Kroacia, Bullgaria e Maqedonia Veriore, urojnë Kosovën në 12 vjetorin e pavarësisë

Zyra e Presidencës së Kosovës, ka njoftuar se Kroacia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë uruar Kosovën në 12 vjetorin e pavarësisë së saj.

Kjo është bërë e ditur me anë të një kumetese nga presidenca, ku thuhet se Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovic, ai i Bullgarisë, Rumen Radev dhe Presidenti i Maqedonisë veriore, Stevo Pendarovski, kanë uruar Kosovën në këtë ditë të rëndësishme.

Presidentja e Kroacisë, ka dërguar letrën e saj në të cilën ka shkruar se beson fuqishëm se marrëdhëniet tradicionalisht miqësore mes Kroacisë dhe Kosovës, do të zhvillohen më tej dhe do të forcohen në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

“Republika e Kroacisë, si mike e juaja, mbështetë fuqishëm të ardhmen e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veri-Atlantike dhe është e vullnetshme të vazhdojë të mbështesë dhe të transferojë dijen edhe përvojën e saj të arritur në procesin e integrimit Euro-Atlantik”, thuhet në letrën e presidentes Grabar-Kitarovic.

Në anën tjetër, homologu i saj nga Bullgaria, Rumen Radev, ka shprehur urimet e tij, duke shkruar se më tepër se 10 vjet në mënyrë sistematike kemi ndërtuar marrëdhëniet tona në frymën e miqësisë dhe partneritetit, bazë solide dhe potencial për zhvillimin e ardhshëm dhe thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

“Besoj se ndajmë mendimin e përbashkët që vlerat evropiane dhe euroatlantike janë bazë për stabilitetin në rajon dhe që në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë së bashku edhe më thellësisht për aplikimin dhe për afirmimin e tyre. Përfitoj nga rasti edhe njëherë, të nënvizoj mbështetjen e Republikës së Bullgarisë për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës”, shkruan në letrën e tij presidenti Radev, përcjell zyra e presidentit.

Ndërsa, presidenti i Maqedonisë së Veriut, ka shfrytëzuar mundësinë që me anë të kësaj letre të dërguar Thaçit, të shpreh kënaqësinë e tij, duke thënë se të dyja shtetet kanë arritur zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin që do të vazhdojë për vite me radhë.

“Për më tepër, dua të shfrytëzoj këtë mundësi dhe të shpreh kënaqësinë time me nivelin që dy shtetet e tona kanë arritur në zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin mes tyre, duke qenë i bindur se ato do të vazhdojnë të intensifikohen në të gjitha fushat me interes të përbashkët gjatë muajve dhe viteve në vijim”, shkruan në letrën e tij presidenti Pendarovksi.