Izraeli sulmon Hamasin në Rripin e Gazës

Izraeli sulmon Hamasin në Rripin e Gazës

Aeroplanët luftarakë të Izraelit i kanë sulmuar lokacionet e Hamasit në Rripin e Gazës të shtunën pas shkëmbimeve të zjarrit nga militantët palestinezë.

Në një deklaratë të ushtrisë izraelite thuhet se janë sulmuar shënjestrat terroriste të Hamasit, përfshirë depot e armëve dhe një strukturë e nëndheshme, e cila është përdorur nga kjo organizatë.

Nuk është raportuar për viktima në njerëz. Këto sulm erdhën pas të shtënave nga Gaza dhe lëshimit të balonave të pajisur me mjete shpërthyese, shkruan “France24”.

Vala më e re e dhunës mes rivalëve të vjetër erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i zemëroi palestinezët me planin kundërthënës të paqes, me të cilin do t’i njihej sovraniteti Izraelit në vendbanimet e Bregut Perëndimor.

Hamasi dhe Izraeli i kanë zhvilluar tri luftëra mes vete vetëm nga viti 2008. Megjithatë, dy palët vitin e kaluar e kanë mbajtur një armëpushim joformal, duke i pakësuar sulmet dhe duke e zbutur bllokadën në Gaza.