Rrahman Paçarizi konsideron se zvarritja e procesit të krijimit të koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është edhe më e pakuptimtë tani kur Emisari i Presidentit Amerikan, Richard Grenell, e bëri të qartë se bisedimet me Serbinë do të vazhdojnë pavarësisht.
Opinionisti Rrahman Paçarizi ka thënë në emisionin Rubikon të KTV’së se LDK’ja e konsideron ofendim propozimin e Vetëvendosjes që në këmbim të postit të krye parlamentarit të rrisë numrin e ministrive që ia ofron partisë së Isa Mustafës.
Sipas tij, LDK’ja s’do të pranojë në këmbim të postit të krye parlamentarit, as idenë që të qeverisë vetë me tetë ministri, e dy t’i takojnë VV’së.
“Kjo është ofendim për LDK’në sepse e vë në pozicionin e partisë që dëshiron të marrë sa më shumë ministri, të zhvatë, të grabisë. LDK-ja nuk pranon as propozimin 8 me 2 për ministri”, ka thënë ai.
Sipas tij, zvarritja e procesit të arritjes së marrëveshjes pas vizitës që bëri në Kosovë ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, është e pakuptueshme.
“Grenell na tha ju nuk mund ta zvarritni këtë proces dhe se bisedimet me Serbinë do të vazhdojnë pavarësisht marrëveshjes”, ka shtuar ai.