Nga shpërthimi që ndodhi gjatës bastisjes së mbrëmshme në Prizren, një zyrtar policor e ka humbur njërin sy dhe ka pësuar lëndime të mëdha në syrin tjetër si dhe në zonën e qafës.
Për gjendjen shëndetësore të policit të lënduar, Metro ka kontaktuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Shefi i Repartit Intenziv, Shaqir Uka, ka dhënë detaje në lidhje me gjendjen e policit që është shtruar në QKUK.
“Në shpërthimin që ka ndodhur mbrëmë në Zhur, një zyrtar policor është sjell në QKUK dhe pas ekzaminimeve është bërë intervenimi nga mjekët në zonën e syve dhe të qafës. Mund të konfirmoj se njërin sy pacienti e ka humbur, ndërsa tjetrin sy e ka të dëmtuar shumë dhe nuk mund të konfirmojë ende se a e ka të humbur shikimin totalisht”, ka thënë Uka për Metron.
Tutje ai ka bërë të ditur se pacienti është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe momentalisht është duke u mbajtur në gjumë me medikamente.
Ndërkaq mësohet se polici i cili ka humbur syrin është Artur Mrasori nga Prizreni, 32 vjeçar.
Gjatë shpërthimit të mbrëmshëm në një shtëpi në Prizren, një polic ka vdekur dhe tre persona të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Policia aty po zhvillonte një bastisje për narkotik dhe se më parë ishte raportuar për dhunë në familje.