Rama: Garantojmë ecurinë e mëtejshme të reformave në ndërtimin e Shqipërisë evropiane

Rama: Garantojmë ecurinë e mëtejshme të reformave në ndërtimin e Shqipërisë evropiane

Ajo që ne na takon është të bëjmë gjithçka që ne kemi në dorë  dhe të garantojmë ecurinë e mëtejshme të reformave, pasi të gjitha ato  që kërkohen nga Bashkimi Evropian, ne nuk i bëjmë për BE-në, por i bëjmë  për të ardhmen e vendit tonë dhe fëmijëve tanë.

Kështu deklaroi sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një  konferencë të përbashkët për shtyp me komisionarin për Zgjerim të  Bashkimit Evropian, Olivér Várhelyi, i cili ndodhet sot për një vizitë  zyrtare në Tiranë.

Lidhur me procesin e integrimit, kryeministri Rama siguroi se  “Shqipëria do të bëjë të njëjtat gjëra që do të bënim edhe po të ishin  hapur negociatat në fund të vitit të shkuar”.

“Kemi ndarë së bashku pikëpamjet lidhur me çfarë ka ndodhur në  fund të vitit të shkuar dhe çfarë mund të presim nga ky vit. Në këtë  aspekt, Shqipëria do të bëjë të njëjtat gjëra që do të bënim edhe po të  ishin hapur negociatat në fund të vitit të shkuar”, tha Rama.

Ai theksoi se “nëse ka një arsye madhore për të qenë  krejtësisht të përfshirë në këtë proces dhe për t’i bërë të gjitha këto  detyra, kjo arsye është përputhshmëria e plotë e këtyre objektivave të  vendosura në procesin e integrimit evropian me nevojën që vendi ka dhe  që fëmijët tanë kanë për nesër.

“Kështu që vendimin do ta marrë Këshilli Evropian, por sido që  të jetë vendimi ne do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë, të ecim sa  më shpejt dhe me sa më shumë rezultate në ndërtimin e Shqipërisë  evropiane”, tha Rama.

I pyetur lidhur me qëndrimin e Francës, Rama tha se “ju e dini  shumë mirë që kjo nuk është një çështje e lidhur drejtpërdrejtë me  Shqipërinë apo me Maqedoninë e Veriut, por është një çështje e lidhur me  një diskutim të brendshëm në BE lidhur me metodologjinë e zgjerimit”.

Kryeministri tha se ka informuar komisionerin evropian për  ecurinë e të gjitha proceseve, të  reformës në drejtësisë në radhë të  parë si dhe “për iniciativën e re që do të aktivizojmë në ditët në  vijim”.

“Jemi duke përfunduar diskutimet edhe me ekspertizën ndërkombëtare  për të hapur një ofensivë shembullore kundër krimit të organizuar dhe  eksponentëve të krimit si dhe kundër atyre gjyqtarëve e prokurorëve që  si në rastin fare të freskët para dy ditësh, i përkasin organizatës KÇK  dhe po e përdorin autoritetin e tyre në këtë fazë të ndërmjetme mes  sistemit të vjetër që po shembet dhe atij të ri që po ndërtohet nga  reforma, për të bashkëpunuar hapur dhe paturpësisht me krimin”, tha  Rama.