Meta takon Walker: Ndihmoi për t’i dhënë fund përgjithmonë spastrimit etnik në zemër të Evropës

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta është takuar me ambasadorin William Walker.

Meta përmes një postimi në Facebook, tha se integriteti i tij i lartë ndihmoi botën të zbulonte genocidin që ndodhte çdo ditë, dhe vuri diplomacinë në veprim përmes Konferencës së Rambujesë, dhe më pas ndërhyrjes historike të NATO-s, për t’i dhënë fund përgjithmonë spastrimit etnik në zemër të Evropës.

Walker ishte ai që më 15 janar 1999 akuzoi forcat policore dhe ushtarake serbe se janë përgjegjës për masakrën e Reçakut duke kërkuar drejtësi.

“Nuk jam jurist, por, sipas meje, këtu ka ndodhur një krim kundër njerizimit”, kishte qenë deklarata e famshme e Walker.

Para 21 vitesh në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.

Postimi i plotë i Metës:

I lumtur të ritakohesha në Kosovë me Ambasadorin William Walker. Shqiptarët kudo në botë do t’i jenë përherë mirënjohës për denoncimin historik që i bëri Masakrës së Reçakut vetëm me tre fjalë: Krim kundër njerëzimit.

Integriteti i tij i lartë ndihmoi botën të zbulonte genocidin që ndodhte çdo ditë, dhe vuri diplomacinë në veprim përmes Konferencës së Rambujesë, dhe më pas ndërhyrjes historike të NATO-s, për t’i dhënë fund përgjithmonë spastrimit etnik në zemër të Europës.

E ftova me shumë kënaqësi për të vizituar Shqipërinë, dhe sigurisht Sarandën që ai e do aq shumë.