Para mediave, Meta ka thënë se masakra ishte një akt që nuk mund të përmbyllej me fjalë më sakte se si e kishte përmbyllur atë kohë ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, pra krim kundër njerëzimit, shkruan lajmi.net.
“Ai ishte një akt që nuk mund të përmbyllej më saktë se me tri fjalë: Krim kundër njerëzimit. Ky ishte një akt që shokoi mbarë botën por që vuri në lëvizje botën përendimore, më pas përmes ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë”, tha ai.
Ai tha se masakra tregoi se gjithëherë liria dhe dinjiteti triumfon ndaj gjenocidit dhe barbarizmit njerëzor.
“Kjo dhe masakra të tjera në Kosovë me plan spastrimin etnik, treguan se liria dhe dinjiteti njerëzor triumfojnë ndaj gjenocidit dhe barbarizmit njerëzor. Sot është koha jo vetëm për të kujtuar, por edhe për të ngulmuar që drejtësia të shkojë deri në funnd”, tha ai.
Sipas Metës, çdo përpjekje për ta mohuar këtë masakër, është përpjekje për riciklimin e dhunës.
“Çdo përpjekje për të mohuar këtë masakër dhe masakra tjera është rrezik për riciklimin e dhunës, dhe ne duhet të qëndrojmë të bashkuar drejt vlerave evropiane”, tha në fund ai.