Thaçi nga Reçaku: Serbia një ditë do të jap llogari, po vazhdojnë me sjellje si të Milosevicit

Thaçi nga Reçaku: Serbia një ditë do të jap llogari, po vazhdojnë me sjellje si të Milosevicit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar Reçakun në 21 vjetorin e masakrës më të madhe të kryer nga serbët në vend. Prej atje, ai ka thënë se Serbia një ditë do të jap llogari për krimet e kryera gjatë luftës, dhe se po vazhdojnë ende me sjellje si të kriminelit, Slobodan Milosevic.

Presidenti i vendit ka thënë se Masakra e Reçakut ka qenë një krim kundër njerëzimit, dhe se këtë e dijnë të gjithë.

“Masakra e Recakut, një prej masakrave më të rënda të Serbisë. Masakra e Recakut është krim kundër njerëzimit, që ka kryer drejtpërdrejt shteti i Serbisë, që është gjenocid i Serbisë kundër popullit të Kosovës. Kjo masakër tregoi që Serbia po kryente spastrim etnik në Kosovë. Edhe kjo masakër, si gjithë të tjerët, do jenë ato që ne do kërkojmë vazhdimisht që të zbardhen”, tha ai.

Tutje, Thaçi ka thënë se ndërkombëtarët kanë heshtur për këto masakra, dhe se Serbia një ditë do të jap llogari për krimet e kryera.

“Drejtësia ndërkombëtare ka heshtur për këto masakra. Rrugëtimi jonë është ai euroatlantik, do punojmë fuqishëm për të ardhmen evropiane, por duke kërkuar drejtësinë që shteti i Serbisë duhet të japë llogari herët ose vonë për gjenocidin që ka kryer në Kosovë. Edhe tendenca e fshehjes, apo mohimit, është sjellje e mentalitetit të Milloshevicit, por kjo sjellje e Serbisë ka ardhur edhe për shkak të heshtjes ndërkombëtare. Ishte shtytje dhe guxim i autoriteteve të Serbisë për të mohuar masakrën, por nuk ka njeri në botë që e mohon”, tha ai.