Kryetari i Mitrovicës, njëherit anëtar i Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, ka ironizuar me Qeverinë në largim e kryesuar nga Ramush Haradinaj, duke thënë se ajo ka pasur nga 3 deri në 4 Kryeministra, ndërsa kjo që do të vijë, do ta ketë vetëm një.
Bahtiri në një intervistë për Ekonomia Online ka folur për koalicionin mes LDK’së dhe VV’së, duke thënë se subjektet së shpejti do të arrijnë marrëveshje.
“Shpresoj dhe jam i bindur se marrëveshja do të arrihet sepse nuk ka tjetër zgjedhje. Është një zgjedhje që e kanë dhënë vetë qytetarët dhe në bazë ta asaj zgjedhje për të ndryshuar gjendjen aktuale në Kosovë janë këto dy parti që besoj dhe jam i bindur që këto do të arrijnë në kohën e caktuar”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai ka ironizuar duke thënë se qeveritë e kaluara i kishin nga 3 deri 4 kryeministra, derisa thotë se Qeveria Kurti do ta ketë vetëm një kryeministër dhe do të jetë një qeveri e suksesshme.
“Qeveritë e tjera i kanë pasur nga 3-4 kryeministra, kjo qeveri do të ketë një kryeministër i cili do të menaxhoj bashkërisht më programin i cili është duke u studiuar për të qenë më të suksesshëm”, ka thënë Bahtiri.