Kryetari i Pejës, njëherit anëtari i Kryesisë së LDK’së, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se partia e tij do t’i marrë Ministrinë e Arsimit, Punëve të Brendshme, atë të Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Mbrojtjes, dhe atë të Bujqësisë.
Këtë ai e ka konfirmuar në RTV Dukagjini, ku edhe një herë ka treguar se problemi është tek posti i Presidentit.
“Na jemi të informuar që ministritë janë ndarë, por është ngërçi te presidenti. Na anëtarët e Kryesisë jemi më të avancuar me informata. Ministritë janë ndarë 5 me 5 dhe kjo është e përfunduar”, ka thënë Muhaxheri.
Muhaxheri, tutje ka konfirmuar se LDK do të marrë: Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe atë të Bujqësisë.
Muhaxhiri në fund ka thënë se LDK i ka ofruar VV’së edhe zgjidhjen tjetër, që të marrë Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit, ndërsa atyre t’u mbesë Kryeministri.