Koalicioni i (pa)mundur VV-LDK, Tahiri: Zgjedhjet e reja mund të sjellin të njëjtin rezultat

Koalicioni i (pa)mundur VV-LDK, Tahiri: Zgjedhjet e reja mund të sjellin të njëjtin rezultat

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se do ketë takime në mes liderit të VV-së, Albin Kurtit dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa për të finalizuar marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re.

Teksa po vazhdojnë përplasjet mediale mes zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, takimet e liderëve të partive nuk kanë sjellë asnjë progres për formimin e qeverisë.

Posti i presidentit është bërë “mollë sherri” mes dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, nga të cilat VV mori 26 për qind të votave, përqindje kjo që ia siguroi 29 ulëse në Kuvend.

Sidoqoftë, Mustafa, partia e së cilit do të ketë në Kuvend 28 deputetë, nuk po lëshon pe në qëllimet e synuara që posti i presidentit t’i takoi LDK-së. Nga ana tjetër, Albin Kurti ia ka bërë me dije bashkëbiseduesit se posti i presidentit nuk do të jetë pjesë e pazareve politike.

Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri thotë për lajmi.net, se në këtë rast më mirë është që vendi të shkojë në zgjedhje sesa të ketë qeveri dosido.

“Sipas meje është më mirë të shkojmë në zgjedhje sesa me pas qeverinë dosido, me dal me një fitore ma të pastër kushdo që fiton. Me ditë se VV i merr 10 deputetë më shumë është më mirë të shkojnë në zgjedhje. Por, ekziston rreziku të dal përsëri i njëjti rezultat dhe zgjedhjet të mos sjellin asgjë të re”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, në situatën aktuale nuk bën që LDK të dal si partia e parë në tavolinë pasi në zgjedhje s’ka dal as e barabartë që me i vu kushte VV-së.

“LDK nuk duhet ta bllokoj marrëveshjen te posti i presidentit, sepse qeverisja nuk është vetëm moment i ndarjes së pushtetit por proces që zgjat katër vjet dhe që sjell benifite edhe për programin e partisë por edhe për Kosovën. Nuk është qëllimi që ta ketë mirë vetëm partia në pushtet por të gjithë qytetarët e vendit”.

Politologu ka theksuar se populli ka vendosur që të ketë qeveri VV-LDK, dhe të dyja këto duhet të bëjnë një program të përbashkët e të mos grinden për koalicion.

“VV-LDK e kanë mundësinë ta bëjnë qeverisjën, askush tjetër, populli nuk i ka provu këto dyja dhe mund të udhëheqin mirë pasi kanë potencial, kjo vërehet veçanërisht kur flasin për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kjo është reforma kryesore dhe më pas vijnë ato zhvillimore”, ka përfunduar Tahiri.

Takimi i radhës në mes Kurtit dhe Mustafës ende nuk dihet se kur do të ndodhë, por nga VV e kanë pranuar se negociatat janë bllokuar për shkak se LDK nuk po heq dorë nga posti i presidentit.

Të dyja partitë kanë kohë edhe 10 ditë për t’u dakorduar dhe më pas presidenti, Hashim Thaçi të thërras seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.