Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq njëherësh lider i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) thotë se këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, gënjen në mënyrë të tmerrshme për disa dokumente socialiste për persekutimin e shqiptarëve.
“Pavarësisht gjithçkaje, unë jam i gatshëm të shkoj në Gjykatën Speciale në Hagë, kam tonelata materiale që më së miri tregojnë se kush e dëboi kë nga Kosova” i tha ai gazetës serbe, “Novosti”.
Ai thekson se është i gatshëm të shkojë atje, por si dëshmitar kundër shefave të Zyberajt nga autoritetet e larta të Prishtinës, të cilët siç tha ai “drejtuan Ushtrinë e ashtuquajtur terroriste të Kosovës”.
Kësisoj ai i është kundërpërgjigjur Zyberajt i cili në Facebook ka paraqitur një dokument të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) që mban datën : 17 shkurt 1999 ku siç shkruan ai”ndër shumë plane tjera kundër shqiptarëve të Kosovës, gjatë Konferencës në Rambuje, mund të lexojmë edhe tentimin për fshehje të masakrave dhe debimeve masive nga shtepitë të qytetarëve të Kosovës. Krejt kjo bëhej me qellimin e vetëm për ta mashtruar bashkësinë ndërkombëtar dhe NATO-në”.