Deri sa vitin e kaluar "Babadimri" pushtet kishte ndarë mjete financiare në vlerë mbi 9 milion dinarë, pa konkruse e pa kritere, ai, të njejtin avaz e ka vazhduar edhe këtë fund vit. "Babadimri" këtë vit, përpos shkeljeve të lartëpërmendura bën edhe një "upgrade" në keqpërdorim të parasë publike - ai ndan para një "media" fantome e që është i afërt shumë ngusht me të - Sun Info 2020.
E para së gjithash duke u nisur nga përgjegjësia penale që veçanërisht është paraparë në nenin 359 të Kodit penal - " Keqpërdorim i detyrës zyrtare" ajo çfarë është më e dhimbshme është përgjegjësia morale.
E këto para, këtë herë, nuk jepen direkt nga komuna por nga "satelit" të saj siç është N.p. " Moravica", Qendra Sportive e Sh.k. "Abdulla Krashnica". Si do të thoshte populli "Me çfarë fytyre" drejtuesit e këtyre institucioneve do ti dalin nesër punëtorëve të vet kur: N.P. "Moravica" është në një kolaps finansiar me borxh mbi 6 milion dinarë, ku punëtorët e saj, veçanërisht të pastërtisë punojnë në kushte të dhimshme, makabre e skandaloze, e veçanërisht në këtë sezon dimri; ku drejtuesi i Organizatës Sportive gjat vitit 2019 ka bërë aktivitete që mund ti numërosh me gishtat e njërës dorë; e ku drejtuesi i Sh.K. "Abdullah Krashnica" nuk arriti të përkrahë manifestimin të vetëm ndërkombëtar siç ishte PreFoto?!
Dhe ajo çfarë nuk po shkon në gjithë këtë gjurulldi është reagimi i vetë votuesve të këtij pushteti ndaj këtij megaskandali, reagimi i shoqërisë civile (e që për hirë të sinqeritetit goxha mirë kanë marrë para nga i njejti "Babadimër") dhe reagimi i opozitës!
P.S. Kërkojmë ndjesë fëmijëve se kemi përdor figurën e Babadimrit, ne e dimë që ai për ata është diçka e bukur në këtë fund vit e në këtë stinë me borë.