Haziri i prerë: Nëse nuk ndodh koalicioni me Vetëvendosjen, shkojmë në opozitë

Haziri i prerë: Nëse nuk ndodh koalicioni me Vetëvendosjen, shkojmë në opozitë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se nëse ata nuk arrijnë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, do të shkojnë në opozitë.

Haziri ka përjashtuar mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje të parakohshme, por ka thënë se nëse nuk arrihet marrëveshje me LVV, ata do të shkojnë në opozitë.

“Nuk do të ketë zgjedhje të reja, munden me vazhdu me marrë kohë më shumë mirëpo nuk do të dështojnë. LDK ka vullnet dhe ka sinqeritet, ne përjashtojmë çdo mundësi tjetër të qeverisjes ose bëjmë koalicion me LVV ose kalojmë në opozitë”, ka thënë Haziri.

Haziri duke komentuar situatën politike dhe takimet që po bëhen LVV-LDK drejt arritjes së një koalicioni qeverisë, ka thënë se marrëveshja do të ndodhë dhe se duhet pasur durim e besim.

“Është çështje bisedash dhe me vetë faktin se ne nuk po i cilësojmë negociata mes palëve por jemi duke diskutuar për arritjen e një koalicioni. Jemi duke ndërtuar koalicion me mirëbesim dhe me vetë faktin se 99 për qind e marrëveshjes është gati pra është ndërtu nuk mund të ndodhë që këto zhvillimet e fundit ta dëmtojnë vullnetin e mirë të dy palëve për me ndërtu një qeveri”, ka thënë Haziri për RTK.

Ndryshe, takimet mes Isa Mustafës dhe Albin Kurtit janë ndërprerë pas disa deklaratave tendencioze të Glauk Konjufcës në drejtim të LDK’së.