• E mërkurë / Jul-02 03:06
  • Kontakt

Hoxha nga Drenasi për kosovarët që shkuan në ISIS: Nuk na duhen ata faqezi, se dreqi i ka qu atje

Hoxha nga Drenasi për kosovarët që shkuan në ISIS: Nuk na duhen ata faqezi, se dreqi i ka qu atje

Imami nga Drenasi, Osman Musliu, po thotë se nga të gjithë kosovarët që kanë shkuar në Siri për t’iu bashkuar ISIS’it, vetëm fëmijët duhet të kthehen nga atje.

Hoxha këtë koment e ka bërë në një dokumentar  të realizuar nga televizioni shqiptar A2CNN, i cili thotë se ‘këta faqezi nuk i duhen askujt’.

“Kujt po ju duhen ata faqezi, se dreqi i ka pas qu atje. Unë kisha thënë përveç fëmijëve burrat dhe gratë nuk duhet të kthehen në Kosovë”, është shprehur ai.

Ndryshe, në këtë reportazh tregohet në detaje jeta që po përjetohet në kampet e ‘ferrit’. Fytyrat e fëmijëve midis pluhurit dhe mbeturinave të shoqërojnë kudo në kampin Al-Hawl. Përreth tyre, gra dhe vajza që bartin ushqimet e paketuara dhe tentojnë të pastrojnë midis çadrave.

Aty raportohet se kushtet e jetesës janë çnjerëzore. Rreziku është konstant dhe kurdët që ruajnë kampin e dinë se shumë prej grave që jetojnë aty kanë qenë të trajnuara për të luftuar.

Kujtojmë se rreth 110 kosovarë janë kthyer nga Siria, në muajin prill të këtij viti.

Ndërkaq, në Siri ndodhen edhe rreth 200 kosovarë të tjerë, për të cilët është bërë e ditur se mund të kthehen në vend, si në operacionin që u bë muaj më parë.