Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, beson se është e rëndësishme që të vazhdohet sa më shpejt dialogu Kosovë – Serbi.
Blok ishte sot për vizitë zyrtare në Serbi dhe theksoi se çdo vendim i mundshëm në lidhje me territoret e të dyja vendeve duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
“Prandaj është thelbësore që ky proces të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që të dyja vendet të përmbahen nga lëvizjet që dëmtojnë besimin e ndërsjellë”, deklaroi Blok për agjencinë e lajmeve “Beta”.
Ai shtoi se Holanda mbetet e shqetësuar për mungesën e përparimit të Serbisë.
Blok theksoi se SHBA-ja ka rritur angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor dhe që i takon Beogradit dhe Prishtinës të arrijnë një marrëveshje të pranueshme reciprokisht.