Jakup Krasniqi: Kam informacione që Nisma është 5% të rezultateve zgjedhore

Jakup Krasniqi: Kam informacione që Nisma është 5% të rezultateve zgjedhore

Kryetari i Këshillit Kombëtar të partisë Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë se Nisma është brenda rezultatit zgjedhor që i duhet për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë thekson se po presin certifikimin e rezultateve finale nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të qartësuar pozicionin e Nismës nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Krasniqi thotë se organet drejtuese të partisë shumë shpejt do të marrin një vendim lidhur me përfshirjen e mundshme në qeverinë e Kosovës.

Ai thotë se kanë pritur rezultat më të mirë nga këto zgjedhje, por gjithashtu thekson se administrimi i votës nuk është bërë siç duhet.

Krasniqi thotë se prej informacioneve që ka aktualisht, Nisma është mbi 5%, por po presin certifikimin e rezultateve finale për tu vërtetuar kjo.

“Mendoj që Nisma është brenda rezultatit zgjedhor që i konvenon të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës dhe pjesë e institucioneve të Kosovës. Megjithatë, ne jemi të vetëdijshëm se duhet ta presim rezultatin final. Është mbi 5%, kështu i kam informacionet mbetet të shihet rezultati final. Gjithnjë po them se rezultati përfundimtar është ai që tregon se ku qëndron Nisma”, ka përfunduar Krasniqi.