“Mini-Shengeni” Rama-Vuçiç- Zaev, Mustafaj: Mund të dëmtojë Kosovën

“Mini-Shengeni” Rama-Vuçiç- Zaev, Mustafaj: Mund të dëmtojë Kosovën

Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj foli për procesin e krijimit të minishengenit në Ballkanin Perëndimor, i cili u diskutua sot në Novi Sad të Serbisë mes Ramës, Vuçiçit dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, Besnik Mustafaj shprehet se ky “liberalizim” është vështirë të realizohet pasi problemi kyç mbetet raporti i ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë. Analisti thekson se kjo përpjekje  mund të jetë e dëmshme  për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën.

“Nuk e shoh lehtësisht të realizueshme. Nuk e shoh të realizueshme duke parë dhe analizuar marrëdhënien Kosovë-Serbi. Serbia nuk njeh asnjë dokument të Kosovës,  nuk njeh as targat e makinave dhe nuk njeh asnjë dokument identifikimi. Si mund të krijohet ky minishengen, në kohën kur shqiptarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë drejt Serbisë me mjete  identifikimi. Më parë duhet nënshkruar një marrëveshje që njeh dokumentet mes të dyja vendeve. Unë besoj se edhe disa vende të tjera nuk do ta pranojnë. Unë e cilësoj si një gjë të dëmshme dhe kjo është një mënyrë për të shmangur Kosovën  dhe Bosnjën, ose të gjashtë vendet ose asnjë. Kjo do të ishte një gjë e mirë nëse Serbia përshpejtonin njohjet e dokumenteve të Kosovës”-tha ai