Presidenti i Iranit thotë se SHBA-ja ofroi heqjen e sanksioneve

Presidenti i Iranit thotë se SHBA-ja ofroi heqjen e sanksioneve

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani tha se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar heqjen e gjitha sanksioneve në këmbim të bisedimeve me Iranin, mirëpo sipas tij, Teherani ende nuk e ka pranuar “ofertën” për shkak të “atmosferës toksike”.

Rohani, tha se gjatë qëndrimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka takuar zyrtarë amerikanë me insistimin e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Francës.

Irani është i gatshëm për negociata, por jo në një atmosferë sanksionesh dhe presionesh, tha presidenti iranian.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë përkeqësuar qëkur presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin vitin e kaluar, dhe sërish vendosi sanksione mbi ekonominë iraniane, për shkak të programit bërthamor dhe balistik të këtij vendi.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që përfshin gjithashtu Britaninë, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën si nënshkruese, kishte për qëllim të frenonte programin bërthamor të Iranit ndërsa hiqte sanksionet ndaj këtij vendi.