“Serbët e Kosovës s’kanë guxim të votojnë kundër Listës Serbe”

“Serbët e Kosovës s’kanë guxim të votojnë kundër Listës Serbe”

Lista Serbe, për shkak të shtrirjes së saj dominuese, pritet të triumfojë në zgjedhjet e 6 tetorit. Sipas njohësve të rrethanave politike, qytetarët serbë në Kosovë nuk kanë guxim të votojnë një parti tjetër.

Fatmir Sheholli, drejtor i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, duke folur për gazetën “Zëri” ka thënë se në bazë të hulumtimeve që ky institut ka bërë ka pak gjasa që rezultati të ndryshojë në komunat me shumicë serbe. Sipas tij, Lista Serbe do të vazhdojë të dominojë.

“Në bazë të statistikave dhe hulumtimeve që jemi duke i bërë si institut lidhur me format dhe veprimet të cilat janë prezente, unë jam shumë skeptik që partitë tjera politike ose më mirë të them koalicioni ‘Liria’, Partia e Pavarur Liberale dhe Partia e Serbëve të Kosovës do të arrijnë ndonjë sukses në bazë të asaj çfarë kam parë deri më tani”, ka deklaruar ai.

Sheholli thotë se çdo ditë u arrijnë informata se qëndrimi i Listës Serbe dhe i zyrtarëve të Beogradit mbetet po i njëjti siç ka qenë edhe më herët.

Sipas tij, do të jetë i vështirë edhe lobimi për partitë tjera, duke qenë se Lista Serbe ka dhjetë kryetarë komunash që do të lobojnë për LS-në. Më tutje Sheholli ka thënë se serbët e Kosovës, duke i parë vështirësitë që ua krijon Beogradi e Lista Serbe atyre që kundërshtojnë këtë subjekt politik, nuk do të kenë guximin të votojnë kundër Listës Serbe.

“Lista Serbe e ka në mënyrë absolute përkrahjen e Beogradit, kurse ndaj të gjithë të tjerëve ka momente që u bëjnë ndalesa në kufij dhe probleme të tilla. Kur serbët e Kosovës i shohin këto sjellje në kufij, t’ua them të drejtën në bazë të analizave shohim se serbët e Kosovës vështirë e kanë të guxojnë të votojnë për ndonjë parti tjetër që nuk është Lista Serbe”, ka thënë ai.

Kurse Mazllum Baraliu, njohës i rrethanave politike, ka thënë për gazetën “Zëri” se pozicioni dominues i Listës Serbe mund të ndryshojë vetëm nëse qytetarët kanë guxim të votojnë të lirë.

“Nëse do të ketë besim dhe guxim qytetari t’ua japë votën liderëve të tjerë që janë bashkuar me një grup i cili është ‘anti’ Lista Serbe dhe ‘anti’ dirigjim nga Beogradi do të pritej ndryshimi. Nëse kanë parasysh interesat e drejtpërdrejta të tyre në institucionet e Kosovës, t’i votojnë ata që janë të zgjedhur nga vullneti qytetar pa ndikime nga jashtë, atëherë do të ketë ndryshim dhe Lista Serbe do të kishte një pozicion tjetër nga ai dominues që e ka”, ka thënë ai.

Sipas tij, Lista Serbe ka ngjallur frikë te shumica serbe, prandaj qytetarët e kanë të vështirë të japin lirshëm votën e tyre.

“Shembuj të tillë si ai në Shtërpcë, ku punëtori largohet nga puna pa asnjë bazë ligjore, vetëm pse është pjesë e një subjekti tjetër politik, flet shumë për pozitën e vështirë dhe të pavolitshme të votuesit të komunitetit serb në Kosovë dhe mundësisë që lirshëm ta japin votën”, ka përfunduar ai.