Carpenter: Është e vështirë të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi në kohë të zgjedhjeve

Michael Carpenter e sheh të vështirë vazhdimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës në prag të zgjedhjeve.

Michael Carpenter, një ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes përgjegjës për Rusinë, Euroazinë dhe Ballkanin ka thënë se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, si dhe ato në Serbi më 2020 mund t’i ngadalësojnë përpjekjet për arritjen e marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës.

Carpenter gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” ka thënë se sezoni i zgjedhjeve është moment i keq për diskutime mbi marrëveshje ndërkombëtare.

“Kosova nuk ka kryeministër dhe kjo është pengesë e madhe, kurse koha e zgjedhjeve është e përshtatshme për ata që kanë qëndrime të forta politike, andaj është periudhë e keqe për arritjen e marrëveshjeve. Nuk mund të them se marrëveshja është e pamundur, por duket pak e besueshme”, u shpreh Carpenter.

Sipas tij, mundësitë e brendshme politike në Serbi dhe Kosovë janë të atilla që ideja e shkëmbimit të territorit mund të ketë sukses, por ende nuk ka ardhur deri tek ajo, në Kosovë e as në Serbi.

“Nëse nuk funksionon ideja e shkëmbimit të territorit mes Serbisë dhe Kosovës, nuk shoh se cili është plani B”, shtoi Carpenter duke theksuar se Serbisë duhet t’i ofrohet diçka konkrete dhe më e shpejtë se anëtarësimi në BE për njohje të pavarësisë së Kosovës.

“Nuk besoj se vazhdimi i dialogut, ashtu siç e udhëhoqi Federica Mogherini, ka sjellë diçka konkrete. Mendoj se Serbia, nëse dëshiron ta tejkalojë atë barrierë dhe ta njohë Kosovën, duhet të fitojë diçka konkrete, diçka që banorët e saj do ta konsiderojnë të vlefshme”, tha ai, por pranoi se diçka e tillë “ende nuk është në tavolinë”.

Carpenter ka theksuar se administrata e tanishme amerikane dëshiron ta shfrytëzojë çdo mundësi për arritjen e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës.

“Por, në fund do të bazohen në pajtimin e lojtarëve të mëdhenj, mes të cilëve është Amerika dhe BE, dhe në marrëveshja të arritur nga liderët në terren, që nuk do të jetë aspak e lehtë, marrë parasysh kush është në qeverisje në Uashington”, u shpreh ai.

Duke përmendur rolin e Rusisë, Carpenter ka thënë se nga “perspektiva e Moskës është më mirë të zgjidhet konflikti mes Kosovës dhe Serbisë sepse kjo i lejon Rusisë të paraqitet si kujdestar i interesave të Serbisë dhe kundërshtar i Kosovës”, vazhdoi ai. Carpenter ka bërë kritika të reja drejtuar shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq për thirrjen e diasporës serbe të votojnë presidentin Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme në SHBA.

“Daçiq mund ta mbështesë kë do që dëshiron, është e drejtë e tij. Unë vetëm nuk mendoj se është veprim i menqur diplomat që ministri i jashtëm i Serbisë të shfaq shpresën e tij për një parti politike në SHBA. Rreth Serbisë dhe Ballkanit Perëndimit në përgjithësi në Amerikë ekziston konsensus i palëve dhe mendoj se për Serbinë është më mirë të mbetet ashtu dhe të mos politizohet diçka”, tha Carpenter.

“Unë vetëm shtroj pyetjen sa është veprimi i Daçiqit i menqur, e ai mund ta mbështes kë do që dëshiron. Nuk e di nëse do ta dëgjojnë serbët në Amerikë, por mund të bëjë çka do që dëshiron”, përfundoi ai.