Një muaj nga kriza e inskenuar humanitare në veri – dyqanet plot mallra

Rreth një muaj më parë në veri të Kosovës është inskenuar një krizë humanitare nga Qeveria e Serbisë.

Kjo zhurmë nuk zgjati shumë. Qeveria e Kosovës hetoi planin i cili sipas tyre është gatuar në Beograd për inskenimin e një krize humanitare – që të krijohet presion për heqje të taksës.

Kryeministri i vendit, ministria e Tregtisë dhe ajo e Shëndetësisë demantuan një krizë të tillë humanitare duke dhënë fakte se një gjë e tillë nuk është duke ndodhur.

Biznesmenët serbë të veriut vendosën t’i mbyllin dyqanet e tyre si shenjë revolte për mungesë të mallrave, e ky veprim pati jetë vetëm dy ditë.

Qeveria e Kosovës organizoi në veri pika alternative të shitjes së produkteve të cilat u refuzuan nga banorët serbë të asaj ane, por në të njëjtën kohë, biznesmenët serbë u detyruan të dalin kundër vetës dhe t’i hapin pas dy ditësh dyqanet.

Por, si është gjendja me mallrat dhe dyqanet në veri sot e një muaj pas inskenimit dhe zhurmës që u krijua për këtë krizë inekzistente humanitare.

Banorët e veriut kanë treguar se gjendja në atë pjesë të Kosovës është e qetë dhe gjithçka është kthyer në normalitet pas zhurmës së madhe.

“Gjithçka është në rregull. Mall ka sa të dush, të gjitha shitoret janë plot mall. Edhe ne kemi qasje në produktet ushqimore në shitore serbe, gjithçka po shkon mirë”, ka thënë B.I një qytetare e veriut.

E se nuk ka probleme me këto mallra dhe akuza për biznesmenët serbë ka edhe një qytetar i lagjes së boshnjakëve.

D.P, 52 vjeçar i ka thënë lajmit se biznesmenët serbë i kanë fshehur mallrat për disa ditë dhe se tani ka mallra “sa të duash”.

“Po sa të duash ka mallra, asnjë problem nuk ka për me hongër, me pi, me la e çka të duesh. Nuk ka kurrfarë problemi, po vet i patën mshefë mallnat ato ditë”, tha ky banor.

E se gjendja në veri është normale e tha edhe Gonxhe Çaushi, asambliste nga radhët e Partisë Demokratike në Mitrovicën e Veriut.

“Qarkullimi është normal dhe mallra ka. Dyqanet po funksionojnë normalisht dhe qytetarët po kanë mjaftueshëm mallra”, tha Çaushi.

Ndërkohë, ky skenar i krijuar nga Serbia ishte hetuar me kohë nga autoritetet kosovare dhe institucionet e vendit duke pamundësuar kështu reagim të gjerë.

Politikanët dhe biznesmenët serbë të veriut kishin paralajmëruar se gjërat mund “të shkojnë në pa kthim”, por siç po shihet, gjërat në veri janë të qeta.