Qeveria e Serbisë në konflikt për shkak të Kosovës

Partia Popullore e Serbisë ka dalë me një qëndrim pas konflikteve të ministrit serb Nenad Popoviq me kryeministren Ana Bërnabiq.

Për shkak të konfliktit të ministrit serb Nenad Popoviq me kryeministren Ana Bërnabiq, Partia Popullore e Serbisë ka dalë me një qëndrim: “Ne vetëm po e mbrojmë Kosovën dhe rendin kushtetues”.

“Çdo ministër në qeveri është i obliguar ta zbatojë politikën e përbashkët të qeverisë, e ata të cilët nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, lirisht le ta braktisin”, ka porositur kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, pasi Nenad Popoviq, lideri i Partisë Popullore të Serbisë, ka deklaruar se “Marrëveshja e Brukselit është e vdekur ashtu si dhe rruga e Serbisë kah BE”, raporton “Novosti”.

Bërnabiq ka theksuar se Bashkimi Evropian është prioriteti dhe qëllimi strategjik për Serbinë dhe se ministri Popoviq deklaratat e tilla mund të jep vetëm si kryetar i partisë së tij, e në asnjë mënyrë në emër të qeverisë.

PPS është përgjigjur me anë të një komunikate.

“Le ta shkarkojnë ministrin Nenad Popoviq sepse nuk ishte i gatshëm ta shkelë betimin të cilin ia ka dhënë Kushtetutës, se e gjithë Kosova është Serbi”.

“PPS gjithmonë ka qenë partnere korrekte dhe lokale dhe se gjithçka ka punuar në mënyrë publike, e jo prapa shpinës”. Pretendojnë se “gjithmonë do të thonë atë në çka besojnë dhe çfarë është më së miri për shtetin dhe popullin, pavarësisht cili do të jetë çmimi politik”, thuhet në vazhdim të saj.

“Nëse për atë që po e mbrojmë Kosovën dhe Kushtetutën dhe që themi se nuk do të japim as një metër të vendit tonë të shenjtë dhe që kurrë nuk do të pranojmë që për shkak të integrimeve evropiane të jemi komb gjenocidal, dhe që duam t’i forcojmë marrëdhëniet tona me vendet mike Rusinë dhe Kinën, dikush dëshiron që partia jonë të mos jetë më pjesë e qeverisë, ne jemi të gatshëm për këtë”.