Në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, kryesia e Bashkësisë Islame ka organizuar konferencë me moton “Të gjithë së bashku me një zë”.
Të njëjtit thanë se për këto 20 vjet të pasluftës, këta të mbijetuar nuk gjetën përkrahje të mjaftueshme jo vetëm nga shoqëria e familja, por edhe nga shteti dhe bashkësitë fetare. Në mbështetje të tyre, është nënshkruar edhe deklarata e përbashkët e krerëve të Bashkësive Fetare të Kosovës.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava tha se shoqëria kosovare po përballet edhe me një sfidë, me atë të luftimit të stigmatizimit të viktimave të dhunës seksuale. Tërnava tha se me këtë kategori nuk është marrë mjaftueshëm shteti, rrethi e familja.
Sipas Tërnavës bazuar në parimet islame, dhuna seksuale është e ndaluar, me kodin e luftës si dhe me normat e të drejtat ndërkombëtare.
Kryemyftiu tha se të dhunuarit sipas fesë islame kanë tretmanin e të ndershmëve ndërsa shtoi se përkrahja e tyre, është obligim shtetëror e shoqëror.
Se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale, e tha edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Presidenti tha se të gjithë duhet të kërkojnë drejtësi dhe të inkurajohen viktimat që të ballafaqohen me të kaluarën.
Sipas tij çdo i mbijetuar duhet të gjej guximin të flas, ashtu siç ka folur Vasfije Krasniqi-Goodman.
Thaçi tha se duhet të kërkohet drejtësi edhe nga ndërkombëtarët, sipas të cilit ka ndodhur një amnisti e heshtur përballë shtetit të Serbisë dhe kriminelëve.
Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, tha edhe si bashkësi fetare, bashkë me shoqërinë dhe shtetin, janë vonuar në përkrahjen e tyre.
Edhe Femi Cakolli nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës tha se është bërë pak për këto viktima. Këtyre të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, tha se duhet t’iu kthehet dinjiteti.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se edhe pas formimit të komisionit qeveritar për njohjen ligjore të viktimave të dhunës seksuale, këto të fundit ende po përballen me shumë sfida.
Megjithatë, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka pasur fjalë të mira për komisionin. Ajo tha se BE i kushton vëmendje të madhe drejtësisë tranzicionale.
Derisa, kjo kategori shoqërore, së fundmi po përkrahet shumë edhe në rrjetet sociale, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Conell tha se të gjithë meshkujt kur të kthehen në shtëpi të mendojnë se nënat e tyre janë një viktimë.
E, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku tha se nga lufta ka dhimbje që shoqërohet me krenari e mall, por forma më e rëndë e dhimbjes është ajo që shoqërohet me përulje, përjashtim e stigmazim. Ashtu siç kishin fatin, 20 mijë gra e burra nga Kosova, të cilët u dhunuan në luftën e fundit në Kosovë.
Krerët e Bashkësive Fetare , kanë nënshkruar edhe një deklaratë të përbashkët, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.