Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, në një rrëfim për 20-vjetorin e çlirimit, ka treguar për vështirësitë në luftë, që, sipas tij, kanë ardhur nga dy krahët që atë kohë konsideroheshin si kundërshtarë.
Limaj përmend presidentin aktual, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin e Qeverisë së Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi.
Fatmir Limaj u shpreh se nëse do të kishte marrëveshje dhe konsensus mes dy palëve ai nuk do të kishte mbetur në luftë pa municion.
“Me pas folë Hashimi dhe Bujar Bukoshi, pse me mbetë unë me dy fishekë në mal, kur me miliona kanë dhanë diaspora jonë. Paret janë kanë atje, kurse ata janë marrë vesh se kush ka me kanë i pari. Jo po ma merr qeverinë, jo po ma merr ushtrinë”, tha Limaj.
Ai tha se pas disa viteve të dy u bënë bashkë në qeveri, njëri kryeministër dhe tjetri zëvendëskryeministër.
Limaj u shpreh se pa marrë parasysh ndasitë, në momente të tilla të shënimit të 20-vjetorit, projekti i lirisë ka pasë sukses.