Serbët befasojnë me votimin në anketë për Kosovën

Serbët befasojnë me votimin në anketë për Kosovën

Kosova vazhdon të mbetet edhe më tej çështje kryesore e politikës ditore edhe në Serbi.

Dhe kjo ndodh edhe pas 11 viteve të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, vendim ky i legjitimuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Ndërkohë, sipas mediave serbe, termi “demarkacion” është bërë gjithnjë e më shpesh i përdorur së fundmi, edhe pse publiku serb nuk e di se çfarë nënkuptohet.

Në këtë kontekst, mediumi serb, Danas, duke përfshirë edhe këtë çështje, kanë hapur një anketë, përmes së cilës është kërkuar mendimi i qytetarëve rreth asaj se cili do të jetë përfundimi i “zgjidhjes së çështjes së Kosovës”.

Midis opsioneve, përveç zgjidhjes përmes “demarkacionit” dhe “mbetjes së status quo-s”, është dhënë edhe opsioni i njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Kështu, megjithëse numri i votave tregon për një jointeresim të serbëve rreth kësaj çështje, tregon se ata që kanë votuar deri më tani, shumica kanë menduar se një zgjidhje e tillë do të ndodhë përmes njohjes së Kosovës nga Serbia.

Së paku, sipas të dhënave të deritanishme, thuhet se rreth 42 për qind e atyre që kanë votuar, kanë thënë se zgjidhja do të jetë përmes njohjes së pavarësisë nga Serbia.

Veç kësaj, rreth 37 për qind mendojnë se nuk do të ketë zgjidhje dhe se do të vazhdohet me status quo, ndërsa 21 për qind mendojnë se zgjidhja do të vijë përmes demarkacionit.