Partia e Erdoganit ende lufton për zgjedhje të reja në Stamboll, fajëson Gylenin për humbje

Partia e Erdoganit ende lufton për zgjedhje të reja në Stamboll, fajëson Gylenin për humbje

Bordi i Lartë për Zgjedhje në Turqi, nesër do të vendosë për apelin e partisë së presidentit Erdogan, mbi kërkesën për ri-mbajtjen e zgjedhjeve në Stamboll, pas një humbje të ngushtë nga kundër kandidati i Partisë Republikane.

Partia Republikane, e cila është edhe partia kryesore opozitare, i fitoi të dy qytetet më të madha turke, Ankaranë dhe Stambollin, për herë të parë pas 25 vitesh, gjatë zgjedhjeve lokale që u mbajtën me 31 mars.

Partia e Erdoganit, ka bërë thirrje që rezultati në Stamboll të anulohet, dhe të shpallen zgjedhje të reja, e si arsye, përdorën parregullsitë gjatë procesit, raporton Reuters.

Bordi i Lartë i Zgjedhjeve në Turqi, urdhëroi rinumërim të votave, por përsëri kjo nuk e nxori nga situata partinë e Erdoganit. Në përfundim të rinumërimit, Ekrem Imamoglu, kandidati i opozitës, u ul në zyrën e kryetarit të Stambollit.

Ndërsa pritet që nesër të shpallet vendimi, kandidati i Partisë AKP për kryetar të Stambollit, dhe ish-kryeministri, Binali Yildirim, i tha raportuesve se “Bordi i Lartë i Zgjedhjeve i ka ekzaminuar apelet tona, dhe presim që nesër ta marrin vendimin e duhur për Stambollin”.

Ankesa kryesore e AKP-së, është se në 43 vendvotime ka pasur zyrtarë të cilët kanë qenë të lidhur me Fetullah Gylenin, i cili akuzohet nga Turqia për puçin i cili dështoi.