“Nuk do të ketë shkëmbim të territoreve, do të punoj fuqishëm që Preshevë, Medvegjë, Bujanovc të bashkohen me territorin e Republikës së Kosovës sepse është një korrigjim historik i padrejtësive që kanë ndodhur ndaj nesh”.
Këto ishin fjalët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi pas përfundimit të takimit me liderët të Ballkanit Perëndimor në Berlin, të cilat nuk i kishte përmendur kohëve të fundit.
E këtë deklaratë të Thaçit, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, e ka përshëndetur.
“Përshëndes deklaratat e presidentit, ato janë inkurajuese e shpresëdhënëse. Kërkesa e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është më se e qartë. Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë të njëjtit zotim edhe nga liderët tjerë të Kosovës, të respektojnë vullnetin popullor të Luginës së Preshevës”, tha Mustafa.
Sipas tij, nuk guxon të përsëritet fati i shqiptarëve nga kongresi i Berlinit i para 141 viteve.
“Zgjidhja e çështjes së Luginës së Preshevës është në kontekstin e këtij dialogu, në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, tha tutje Mustafa.
Ishte pikërisht presidenti Thaçi ai e cili e kishe hedhur në opinion idenë për ‘korrigjim’ të kufirit e cila sipas tij nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Përmes një takimi të përbashkët me përfaqësuesit e tri komunave të Luginës së Preshevës, në zyrën presidenciale, me 26 korrik të këtij vitit të kaluar, Thaçi kërkoi të respektohet vullneti i qytetarëve të Luginës së Preshevës të bërë përmes referendumit të 1992 për bashkim të këtyre 3 komunave me shumicë shqiptare me Kosovën.
“Do të analizojmë me seriozitetin më të madh të përgjegjësisë politike, kombëtare e profesionale që në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë- Serbi dhe në kuadër të korrigjimit të kufirit apo demarkacionit në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë të prezantoj edhe kërkesën e institucionalizuar tani më të liderëve dhe qytetarëve të Preshevës për institucionet e Kosovës”, ka thënë presidenti.
Ideja e presidentit Thaçi për ‘korrigjim’ të kufirit nuk u mbështet nga dy krerët e tjerë të shtetit, kryeministri Haradinaj tha se një ide e tillë do të thotë luftë, Kryeparlamentari Veseli tha se kjo ide është e Serbisë.