Edhe ambasadori i SHBA’së, Philip Kosnett, është rreshtuar kah diplomatët që e përkrahën deklaratën e ambasadorit zviceran për veteranët e rrejshëm.
Deklarata e ambasadorit zvicera, Jean-Humbert Lebet, e thënë gjatë përurimit të ujësjellësit të financuar nga Zvicra në Skenderaj, ka ngjallur shumë reagime.
Derisa ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, tha se të gjithë mendojnë si Lebet, Kosnett e ka mbështetur këtë deklaratë të O’Connellit duke shkruar “ne pajtohemi”.
Ndryshe Lebet tha se “ne po ua ndërtojmë ujësjellësin, ndërsa ju po paguani veteranë të rrejshëm”, e kjo nuk u mor mirë nga institucionet e Kosovës.
Megjithatë të gjithë ambasadorët, e tash edhe Kosnett, u pajtuan me atë që tha diplomati zviceran në Skenderaj.
Ndërsa njëjtë nuk kanë menduar përfaqësues të institucionëve të Kosovës.
Shefi i stafit të kryeministrit ka thënë dje se ambasadorët është mirë t’i shikojnë vendet e veta.
Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë në emisionin Pressing se po të pyetej ai, ambasadori zviceran do të largohej pas deklaratës për veteranët.
Pasi vërshuan reagimet e ambasadave kryesore, Lekaj sot e ka takuar ambasadorin Lebet dhe ka thënë se deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti.