Policia e Tiranës goditet një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në formë dozash.
Për rrjedhojë në pranga është vendosur një 23-vjeçar, ndërsa janë sekuestruar 19 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kokainë, peshore elektronike, automjet e aparate celular.
G. X., 23 vjeç, banues në Tiranë ishte në vëzhgim dhe në ndjekje nga shërbimet e Policisë, pasi për të disponohej informacion se në bazë porosie shpërndante në klubet e ndryshme të kryeqytetit lëndë narkotike të llojit kokainë në formë dozash.
Shërbimet e Policisë e kanë konstatuar këtë shtetas duke qarkulluar me mjet në aksin rrugor “Elbasan-Tiranë” dhe e kanë ndaluar për kontroll. Nga kontrolli i ushtruar në mjet, iu gjetën tre doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Gjithashtu është ushtruar kontroll dhe në banesën e këtij shtetasi, ku në pjesën e kompjuterit iu gjetën të fshehura gjashtëmbëdhjetë doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Në përfundim të veprimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 19 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit kokainë; peshore elektronike; dy aparate celular; dhe një mjet.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.