Kurdët e Sirisë kërkojnë tribunal ndërkombëtar për ta gjykuar ISIS-in

Kurdët e Sirisë kërkojnë tribunal ndërkombëtar për ta gjykuar ISIS-in

Administrata e udhëhequr nga kurdët në veri të Sirisë ka bërë thirrje për krijimin e një tribunali ndërkombëtar për t’i gjykuar mijëra pjesëtarë të grupit të ashtuquajtur “Shteti Islamik”.

Abdul Karim Omar, zyrtar i kurdëve, ka thënë se Forcat Demokratike Siriane po përballen më vështirësi për t’i kontrolluar mijëra persona që janë larguar nga enklava e fundit e ISIS-it në Baghuz, e cila ndodhet në lindje të Sirisë.

Forcat Demokratike Siriane, të cilat udhëhiqen nga kurdët, e morën nën kontroll territorin e fundit të ISIS-it javën e kaluar. Rreth 1000 luftëtarë të huaj janë në mesin e mijëra të tjerëve që po mbahen në kampet e kurdëve.

Omar tha se fakti që shumë pak shtete i kanë riatdhesuar qytetarët që i janë bashkuar ISIS-it e ka bërë më të vështirë punën e forcave kurde. Për këtë arsye, kurdët po kërkojnë që të krijohet një tribunal i veçantë ndërkombëtar për gjykimin e terroristëve. Sipas tyre, në këtë mënyrë sigurohen gjykime të drejta dhe respektim i të drejtave të njeriut dhe ligjeve ndërkombëtare.

Shumë shtete perëndimore kanë refuzuar t’i riatdhesojnë qytetarët e tyre për shkak të rrezikut që ata paraqesin për sigurinë si dhe vështirësive për të mbledhur prova për gjykimin e tyre, shkruan “BBC”.